TIRANË

Deputeti Halit Valteri ka folur pas dëshmisë së dhënë në SPAK për atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj ku mbeti i vrarë 23-vjeçari që ishte shofer i tij, Andi Maloku.

Valteri tha se të gjitha informacionet ia ka shprehur prokurorit Altin Dumani dhe nuk ka preferuar të japë detaje të tjera për mediat duke theksuar se iu qëndron deklaratave që ka bërë në parlament dhe për gazetaren Klodiana Lala. Ai ka mohuar se prokuroria i ka mbyllur gojën por se respekton ligjin.

“Kam dhënë deponimin tim para OPGJ dhe prokurorit Altin Dumani. Të gjitha informacionet që kam ia kam shprehur prokurorit. Presim përfundimin e hetimeve dhe që kjo ngjarje të zbardhet.
Nuk ma mbyllën gojën por ligji është ligj dhe duhet respektuar. Të gjitha deklaratave të mia që kam bërë në parlament dhe për gazetaren Klodiana Lala iu qëndroj. Nuk kam dijeni për hetimet”, deklaroi Valteri.

News24 ka siguruar videon që deputeti Halit Valteri publikoi dje në sallën e parlamentit. Në këtë video janë filmuar momentet kur personat e dyshuar për atentatin mbi automjetin e prokurorit Arjan Ndoj, ndodhen te mbikalimi i Shkozetit, pasi kanë braktisur makinën në Shkafane dhe janë kapur nga kamerat e sigurisë teksa ecin disa metra në këmbë.

Personi i veshur në të zeza dhe kapele sipas prokurorisë është Redjan Rraja, ndërsa shoqëruesi i tij edhe pse është është i pamaskuar nuk është identifikuar ende nga prokuroria. Redian Rraja sipas prokurorëve është një person me precedentë të theksuar kriminalë, dhe janë 2 analiza të ADN që e lidhin me ngjarjen, njëra nga materiali gjenetik i gjetur në syzet në automjet dhe tjetri në kapuc.

Personi i dytë edhe pse e ka profilin gjenetik, nuk është identifikuar ende dhe për këtë Prokuroria thotë se ka kërkuar ndihmë nga autoritetet e huaja. Është pikërisht kjo video që deputeti Halit Valteri e mori nga babai i shoferit të prokurorit Arjan Ndoji, i riu që mbeti i vrarë në atentat. Babai kërkon që Prokuroria të identifikojë personin e pamaskuar për të vënë në vend drejtësinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb