NGA: ENRIK MEHMETI*
VLORE-
Atentati i ndodhur në orët e vona të mbrëmjes të së dielës në një pikë bastesh në Vlorë, ku mbetën të vrarë 45-vjeçari Ilir Deromemaj dhe 60-vjeçari Dhimitër Cani si dhe u plagos dhe 53-vjeçari Krenar Runaj, ka alarmuar policinë e këtij qyteti, e cila po heton intensivisht për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Burime zyrtare nga Drejtoria e policisë së Qarkut të Vlorës dje bënë me dije se dyshohet që në shënjestër të atentatit ka qenë Deromemaj dhe se ngjarja ka ndodhur për motive hasmërie. Kjo për faktin se në vitin 1998, 45-vjeçari ka ekzekutuar shtetasin Lame Gockaj. Ndërkohë, mësohet se në lidhje me ngjarjen e shënuar në lagjen “Partizani” të qytetit bregdetar janë shoqëruar dhe marrë në pyetje më shumë se 10 persona.

Mësohet se mes të shoqëruarve janë dhe pjesëtarë të fisit Gockaj, të cilët kanë mohuar kategorikisht të kenë gisht në atentatin që tronditi banorët e Vlorës. “Ne nuk kemi gisht në vrasjen e Ilir Deromemajt. Organet kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të mos na përfshijnë në krim, pasi ne i kemi mbyllur me kohë problemet që kemi pasur me Deromemajt”, deklaruan dje për “Gazeta Shqiptare”, pjesëtarë të fisit Gockaj. Ndërkaq, burime nga policia u shprehën se i plagosuri Krenar Runaj është transportuar mëngjesin e djeshëm në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai ndodhet në gjendje kritike për jetën.

ATENTATI
Rreth orës 22:05 të së dielës, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me breshëri kallashnikovi dy persona si dhe ka plagosur rëndë një tjetër. Gjithçka ka ndodhur vetëm disa hapa larg hyrjes së spitalit të Vlorës, ku Ilir Deromemaj, pronari i një pike bastesh, ka qenë i ulur në tavolinë jashtë ambienteve të biznesit të tij së bashku me Dhimitër Canin dhe Krenar Runajn. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, një automjet u është afruar tre personave në fjalë pa rënë në sy. E ndërsa, drejtuesi i mjetit ka ulur shpejtësinë para lokalit, një person nga ana e pasagjerit ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku ndodhej 45-vjeçari Ilir Deromemaj. Për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend Deromemaj dhe 60- vjeçari Cani si dhe është plagosur 53-vjeçari Runaj. Po të njëjtat burime thanë se ky i fundit ka marrë plagë në bark dhe është transportuar urgjentisht për në spital, ku dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore.

HETIMET
Krismat e armëve kanë shkaktuar panik te qytetarët dhe pushuesit, ndërsa policia ka mbërritur shpejt në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Mësohet se pak minuta pas atentatit, blutë gjetën një automjet të djegur plotësisht në rrugën drejt fshatit Alikok, pranë varrezave. Ndërsa, dyshohet që mjeti të jetë përdorur nga autorët. Mjeti i gjetur, tip “Xhip” me targë AA 210 FS, rezulton të jetë mjet i vjedhur në Fier para dy muajsh. Përgjatë natës janë shoqëruar disa persona, por blutë nuk kanë prerë asnjë fletë arresti. Sipas burimeve nga policia lokale, viktima Ilir Deromemaj ka qenë person me precedent penal, pasi në vitin 1998 ka vrarë shtetasin Lame Gockaj. Ndërkohë që ditën e djeshme lokali ku ndodhi ngjarja është mbyllur, ndërsa gjithandej janë shenjat e plumbave të kallashnikovit. Edhe karriget në tavolinën ku ishin ulur dy viktimat dhe shoku i tyre nuk janë lëvizur nga vendi.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: