Gjashtë muaj pas publikimit të një përgjimi të bisedës së pretenduar mes Agron Xhafajt, vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Albert Veliut, Prokuroria për Krime të Rënda firmos arrestin për të njohurin me nofkën ‘Babale’. Ndaj Veliut, që u identifikua në krye të herës edhe si “dëshmitari X”, rëndojnë dyshimet për akuzat e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim dhe kalimit të paligjshëm të kufirit, pasi pas publikimit të audiopërgjimit, ai u largua nga Shqipëria në Kosovë përmes kufirit të gjelbër.

‘Babale’ ndodhet në Kosovë dhe urdhri pritet të ekzekutohet nga autoritetet atje. Në pranga është vënë edhe kunati i ‘Babales’, Fred Alizoti nga Fieri, pasi ka dyshime se imitoi zërin e Agron Xhafajt gjatë bisedës me Veliun. Për gazetarin Jetmir Olldashi, që realizoi intervistën me “Babalen”, është caktuar nga gjykata masa e arrestit me burg. Publikimi i audiopërgjimit, trazoi politikën shqiptrare dhe jo vetëm, pasi pretendohej se vëllai i Ministrit të Brendshëm, dyshohej për përfshirje në pazare droge.

Audiopërgjimi u dërgua për ekspertizë në Romë, e kur autoritetet italiane refuzuan ekspertizën u përcoll për në Britaninë e Madhe. Autoritetet e huaja sollën pak ditë më parë ekspertizën, nga e cila rezultoi se ishte një material i montuar por nuk jepte mundësi për të identifikuar zërat e personave që bisedonin më njeri tjetrin. Pas administrimit të ekspertizës, Prokuroria thirri në pyetje, deputetin demokrat Ervin Salinji. Prokuroria konfirmoi për News24 se vijon ende hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë cështje.

DEKLARATA E PLOTE E PROKURORISE SE KRIMEVE TE RENDA:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në datë 17.05.2018 ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për vepren penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni  283/a i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me vërtetësinë e audio-regjistrimit të bisedës së zhvilluar midis “Bashkëpunëtorit X” dhe “Agronit”  ekziston dyshimi që jemi para veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga neni 305/25 i Kodit Penal, e kryer në formën e  krijimit të provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me vendimin Nr. 142 datë 06.10.2018 ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Albert Veliu, si i dyshuar për kryerjen e veprat penale të “Kallëzimit të rremë” dhe “Kalimit të paligjshëm të kufirit” parashikuar nga nenet 305/25 dhe 297 të K. Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Fredi Alizoti, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 305/25 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin Jetmir Olldashi, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë, në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 305/25 i Kodit Penal.

Në datë 06.10.2018 janë ekzekutuar vendimet e Gjykatës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb