Deputeti Ervin Salianji deklaroi në emisionin “Opinion” se ai do të pranojë çdo lloj vendimmarrje nga ana e gjykatës dhe nuk do t’i ikë asnjë vendimi, qoftë ky edhe për burgosjen e tij.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me këtë argument, Salianji tha: “Çdo lloj vendimmarrje, pavarësisht besimit të cënuar apo pabesueshmërisë së institucioneve, nëse ka çmenduri për të thënë që për denoncim publik në vitin 2022 do të shkosh në burg për agjitacion dhe propagandë, pa dyshim që do të bëj atë që ju thoni”.

Kujtojmë se deputeti Salianji është duke u përballur në gjykatë për të ashtuquajturën çështja “Babale”.

Më tej, deputeti Salianji foli dhe për protestën, duke thënë se ishte mëse e domosdoshme që qytetarët të dilnin në shesh, pasi sipas tij, Rama po sillet si monark.

“Jo vetëm isha në protestë, por isha edhe në organizim. Besoj që detyra e cdo opozitari është që të bëjë përpjekje maksimale për të nxjerrë në shesh njerëz, sidomos në një situatë ku nuk ka asnjë reagim nga qeveria pavarësisht skandaleve. Edi Rama sillet si monark, sikur nuk ka njerëz dhe opozitë përballë. E ka çuar përtej cdo niveli brutal sjelljen e tij brutale qoftë ndaj opozitës qoftë ndaj qytetarëve.

Për mua ishte surprizuese, ishte e jashtëzakonshme. Jam i emocionuar nga ajo që pashë. Njerëz që nuk kanë funksione drejtuese kishin dalë në shesh. Nuk ka pasur një organizim apo shtrirje në cdo cep të Shqipërisë”, tha Salianji në emisionin “Opinion”.

Ai u shpreh se ka qenë kundër ardhjes së Berishës në krye të PD-së, por sot deklaroi se kemi një realitet politik dhe duhet pranuar.

“Unë mendoj cdo deputet ka bërë zgjedhje për të qenë aty. Deri në 6 mars kam qenë një nga zërat që Berisha nuk duhet të ishte në drejtimin e PD-së. Kam bërë betejë publike. Unë kam menduar që duhet mbajtur një qëndrim i caktuar, por tani nuk mund të shmanget një realitet politik. Një parti demokratike fiton dot pa ata që ishin në shesh? Nuk i heq njerëzit vendimi i gjykatës. Ne si njerëzit që kemi qenë më të votuar në 25 prill kemi pasur siglën, mbështetjen ndërkombëtare apo kemi pasur kundër një gjë që u prek aty dhe unë besoj se ishte element thelbësor. Rrënimi i besueshmërisë së liderit”, theksoi deputeti i PD.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb