Kryeministri i Australisë, Scott Morrison tha sot se kufijtë ndërkombëtarë të vendit, të mbyllur që nga marsi i vitit 2020 në kuadër të luftës kundër COVID-19, do të hapen duke filluar nga 1 dhjetori për personat plotësisht të vaksinuar.

Morrison e cilësoi si “një hap të rëndësishëm” hapjen e kufijve.

“Kthimi i punëtorëve të kualifikuar dhe studentëve në Australi është një moment historik i rëndësishëm në rrugën tonë për t’u kthyer në normalitet”, u shpreh ai.

Australia, e mbyllur për gati 20 muaj, me rihapjen e kufijve ka ofruar 235 000 viza, mbajtësit e të cilave priten të hyjnë në vend gjatë muajve dhjetor dhe janar.

Personat që do të arrijnë në vend duhet të dorëzojnë tek autoritetet dokumentin që tregon vaksinim të plotë me njërën nga vaksinat e miratuara nga Administrata e Produkteve Terapeutike.

Gjithashtu, ata duhet të sigurojnë teste negative PCR jo më të vjetra se 72 orë, ndërsa, kur të mbërrijnë në vend, duhet të respektojnë rregullat e karantinës së shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: