Aktivisti Erjon Murataj ka komentuar protestat që vijojnë prej 105 ditësh në Shqipëri, ndërsa kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. I ftuar në News24, Murataj e ka cilësuar ditën e 105-të si një moment reflektimi për situatën në vend, duke e lidhur atë edhe me zhvillimet e fundit me shqiptarët e diasporës që u nisën drejt Shqipërisë.
Murataj u ndal te autokolonat e shqiptarëve nga diaspora që do t’ bashkohet sot protestës kombëtare në shesh, të cilët gjatë udhëtimit drejt Shqipërisë u përballën me probleme në Mal të Zi. “105-ditëshi ka një simbolikë. Në Finlandë kemi luftën 105-ditëshe për lirinë e saj. Një luftë e ngjashme ishte edhe ai i mbrëmshmi, ku shteti shqiptar preu gojën dhe nuk tha asnjë fjalë për shqiptarët që u bllokuan në Mal të Zi”, tha Murataj.
Sipas tij, protesta e nisur prej më shumë se tre muajsh nuk lidhet vetëm me kundërshtimin ndaj qeverisë, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe problemeve që, sipas tij, kanë shoqëruar vendin ndër vite. “Shqiptarët sot nuk janë thjesht kundër qeverisë së tyre, kundër sistemit, por kundër disa njerëzve që u kanë besuar në 35 vite dhe më pas marrin mospërfillje, shpopullim dhe mungesë shërbimesh”, u shpreh aktivisti.
Murataj tha se 105 ditët e protestave duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për të gjithë shqiptarët dhe shtoi se mbetet në dorë të kryeministrit Rama nëse do të reflektojë apo jo. Sipas tij, deri tani nuk ka pasur një reflektim të tillë, ndërsa akuzoi kryeministrin se ka sulmuar dhe etiketuar protestuesit. “Rama jo vetëm që nuk ka reflektuar, por ka linçuar protestuesit, ka mashtruar ata duke i quajtur iranianë, serbë, rusë. Kjo nuk ndikon fare te ajo që shpalosin sot shqiptarët”, deklaroi Murataj.
Ai komentoi gjithashtu zhvillimet brenda mazhorancës, duke thënë se disa prej bashkëpunëtorëve të Ramës tashmë janë përballur me probleme, ndërsa sipas tij, në qeverisje ka ndryshuar vetëm mënyra e paraqitjes së situatës. “Disa bashkëpunëtorë të tij ose i ka kundër, si Ahmetaj, ose janë pas hekurave. Tani te mazhoranca ka ndryshuar vetëm ‘lëpirja’, disa e kanë ulur tempin, disa e kanë rritur”, tha ai. Në fund, Murataj theksoi se qytetarët kanë votuar një qeveri për të zgjidhur problemet e tyre, ndërsa sipas tij, qeveria aktuale nuk po përmbush këtë detyrë. “Shqiptarët kanë votuar një qeveri për t’u zgjidhur çështje. Ai s’po bën këto gjëra”, përfundoi Murataj.
