Zbardhen disa vjedhje të ndodhura gjatë muajve janar dhe shkurt në Lushnjë, ndërsa në pranga ka rënë autori i dyshuar. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfundoi 32-vjeçari me inicialet M.G.

Në vijim të punës për parandalimin e rasteve të vjedhjes së pronës e pasurisë dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një shtetas që kishte kryer disa vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat i punës së mirorganizuar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kapën dhe ndaluan shtetasin M. G., 32 vjeç, banues në Plug, Lushnjë (i dënuar disa herë për vjedhje).

Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe provat e sekuestruara, dyshohet se 32-vjeçari është autor i disa vjedhjeve, konkretisht:

Më datë 18.01.2023, në lagjen “18 tetori”, ka vjedhur 4 koshere blete, në pronësi të shtetasit B. Gj.;

Më datë 07.02.2023, në lagjen “18 tetori”, Lushnjë, ka vjedhur baterinë e automjetit të shtetasit G. T.;

Më datë 12.02.2023, në lagjen “18 tetori”, Lushnjë, ka vjedhur bateritë e mjeteve bujqësore të shtetasit A. H.;

Më datë 14.02.2023, në fshatin Plug, ka vjedhur dyer dhe dritaret e banesës së shtetases A. Q.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb