TIRANË

Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për vrasjen e ndodhur në një market në rrugën “Irfan Tomini”. Policia deklaron se ka identifikuar autorin e vrasjes së 29-vjeçarit Jurgen Duka, i cili është punonjës i policisë së Dibrës.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Jurgen Duka (Mezini), i cili është shtetasi Arbër Sula, 27 vjeç, banues në Sauk, punonjës policie në DVP Dibër.

Po nga veprimet hetimore të kryera dhe deklarimet e marra nga personat që ishin prezent në vendngjarje ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes.

Gjithashtu, grupi hetimor gjatë kontrollit të rrobave të shtetasit Jurgen Duka (Mezini), ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.8 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një DVR me pamjet filmike të ngjarjes.

Policia vijon punën intensive për kapjen e autorit. Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor në bashkëpunim me SHÇBA-në vijon punën intensive për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: