SHBA

Diaspora shqiptare në Europë, Amerikë, por edhe më gjerë është integruar plotësisht përmes shkollimit në shoqëritë ku jetojnë. Disa prej tyre janë bëre protagonistë duke kandiduar edhe në politikë, siç kemi rastet e shqiptarëve në Belgjikë. Por ky trend po ndiqet edhe nga veprimtarë të çështjes Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Avokati nga Kosova, Vedat Gashi, është një ndër kandidatët në garën për asamblenë e Nju Jorkut, pasi ka fituar në garën e brendshme të Partisë Demokratike amerikane.

Gashi njihet si lobist i madh i çështjes kombëtare në Amerikë. Avokati kosovar ka qenë i angazhuar nga USAID në Kosovë për draftimin e ligjeve të ndryshme kushtetuese. Gashi se bashku me gruan dhe dy fëmijët jeton në Yorktown të Nju Jorkut, përcjell albinfo.ch.

“Gashi është zëri i pavarur që kemi nevojë në një kohë kur komuniteti dhe kombi ynë janë shumë të ndarë”,  ka deklaruar Frank Mackay, kryetari i degës së partisë në Nju Jorkut.

Amerikanët sot pritet t’i drejtohen kutive të votimit në garën për nivele të ndryshme të pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këto votime në Amerikë do të zgjidhen 35 senatorë dhe 435 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe 36 guvernatorë shtetesh.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb