TIRANE

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka përshëndetur vendimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), i cili miratoi sot Raportin e Parlamentit Europian mbi Rekomandimet për Këshillin, Komisionin dhe Zëvendës Presidentin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Siguri në Ballkanin Perëndimor përpara Samitit të vitit 2020.

Raporti rekomandon ndër të tjera të sqarohen kriteret për përparimin në rrugëtimin drejt BE-së, si dhe të sigurohet mbështetje e vazhdueshme gjatë gjithë procesit të negociatave.

Në dokument gjithashtu sugjerohet rritja e bashkëpunimit midis Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të vendeve kandidate. Për të siguruar që reformat në vendet kandidate të jenë të qëndrueshme, mekanizmi i kushtëzimit duhet të forcohet në mënyrë që procesi i negociatave bazuar në kritere objektive të mund të pezullohet edhe në rast mosrespektimi.

Përmes një postimi në Twittet Balla deklaron se Parlamenti Europian po mbështet fuqishëm aspiratat tona për në BE, duke na vlerësuar mbi një proces meritokratik.

Postimi i plotë:

“Faleminderojmë Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për Rekomandimet për Ballkanin Perëndim përpara Samitit të BE-së për vitin 2020. Parlamenti Europian mbështet fuqimisht aspiratat tona drejt BE-së, të vlerësuara të bazuar në meritë dhe tregues të qartë dhe të parashikueshëm” shkruan Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb