Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vidoes virale ku u pa kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj të vraponte pasi mori nga zyrat e Kuvendit dokumentin me marrëveshjen e huasë me SHBA.
Rama shkruan se Shehaj është një ballist dhe vrapon sikur ka vjedhur një pulë.
Kryeministri tregohet shumë i ashpër dhe e quan Shehajn sorrë vjedhacake. Në këtë reagim Rama shpreh keqardhjen për sekretaren e Kuvendit e cila u rrëzua nga shkallët teksa u përpoq të ndalonte Shehajn.
“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin.
Uroj po nuk shpresoj që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumentave të klasifikuar kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme duke falenderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajduti”, shkruan kryeministri.
