Analisti Genc Burimi i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 u ndal tek gjeopolitika.

Ai tha se shpreson që në Uashington të mos diskutohet për ndryshimin e territoreve mes Serbisë e Kosovës, ndërsa u shpreh se Kosova mund të quhet pa frikë si Izraeli i Ballkanit.

Duke u nalur tek një çështje tjetër e nxehtë siç është ajo e konfliktit mes Turqisë dhe Greqisë, Burimi tha se në këtë konflikt Franca është e vetme kundër Turqisë. Ai foli edhe për prishje të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Tek dialogu Kosovë-Serbi, shpresoj më të keqen dhe më të mirën. Shpresoj që administrata Trump të fokusohet tek marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Shpresoj që amerikanët të mos hakmerren për gazsjellësin gjerman “Rrjedha e Veriut 2”, i cili parashikon transmetimin e gazit rus në Gjermani përmes një tubacioni nën detin Baltik dhe që Trump nuk ia fali kancelares Merkel. Shpresoj të mos thirren në Uashington për shkëmbim territoresh. Kosova është Izraeli i Ballkanit. Kosova është e dënuar që një ditë të pushtohet nga çmenduria serbo-ruse, duket të ketë patjetër një bazë të SHBA në Ballkan.

Administrata e SHBA do të dëmtojë administratën e Merkel. Shihni çfarë po ndodh me Turqinë, Franca është e vetme kundër saj në konfliktin me Greqinë. Gjermania nuk i kërcënon dot dhëmbët se ka 3 milion turq. SHBA nuk po e mbështet Greqinë. Ndaj them që Ballkani është ende një fuçi baruti. Vuçiç është nga ata që ha me të dyja lugët edhe me Moskën edhe me Uashingtonin.

Marrëdhëniet Francë-Gjermani janë shumë të mira, por gjeopolitika do bëhet një çmenduri po fitoi sërish Trump. Trump nuk ia fal Merkelit se i thotë si ka mundësi që ju më fusni gazin rus në Europë. Janë të vegjlit ata që i paguajnë hesapet, Thaçi p.sh që shkoi në Hagë, ishin europianët pas si hakmarrje ndaj SHBA”,- shtoi Burimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb