Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur një investim të rëndësishëm për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në bashkinë e Kavajës.

Sipas MIE, ky projekt është një ndër 5 më të mëdhenjtë, që po realizohet aktualisht në nivel kombëtar, në funksion të objektivit strategjik për transformimin rrënjësor të sektorit të ujit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Vlera totale e investimit kap shifrën e 6.3 milionë eurove dhe prej tij do të përfitojnë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm afro 42 mijë banorë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Drejtori i AKUM, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë Kavajë, Redian Krali, inspektuan ecurinë e punimeve, të cilat tashmë janë realizuar në masën 42%.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se Qeveria Shqiptare është duke investuar nga veriu në jug në sektorin e ujit duke transformuar rrënjësisht situatën në këtë sektor kaq jetik për qytetarët. Këto investime, u shpreh Balluku, kanë në fokus jo vetëm garantimin e këtij shërimi për qytetarët, por edhe kthimin e tij në ligjshmëri ku në këtë pikë kërkohet edhe një ndërgjegjësim nga ana e vetë qytetarëve.

“E gjithë reforma që kemi bërë në sistemin elektro-energjetik në Republikën e Shqipërisë, qoftë përsa i përket mënyrës së shpërndarjes, uljes së humbjeve në rrjet, apo edhe mënyrën e pagesës nga qytetarët, ka bërë që sot, i gjithë ky shërbim të ofrohet më mirë, me cilësi dhe padyshim qytetari të paguajë atë të që konsumon. Të njëjtën gjë po mundohemi t’a bëjmë dhe me ujin. Pasi të përfundojmë të gjithë sistemin e investimeve, të cilin e kemi nisur nga Vermoshi e deri në Konispol, lind menjëherë nevoja që të ketë matësa uji kudo që investojmë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të paguajnë atë që konsumojnë, as më pak dhe as më shumë”, u shpreh ministrja Balluku.

Sipas saj, këto investime do të sigurojnë parametrat cilësorë të ujit.
“Është e rëndësishme të theksojmë se, parametrat që ne kërkojmë janë parametra të vendosur edhe nga Bashkimi Europian, që janë 150 litrat e ujit për qytetar dhe nga ana tjetër çfarë është më e rëndësishme, ne kërkojmë që të legjitimojmë patjetër nevojën për ta pasur këtë shërbim bazik dhe jetësor, por t’a sjellim në parametrat e shërbimeve të tjera që ne ofrojmë”.

Për kryebashkiakun e Kavajës, Redian Krali, kufizimi i orareve të furnizimit me ujë të pijshëm ka qenë një shqetësim i banorëve të këtij qyteti ndër vite dhe i premtuar shumë herë, por që asnjëherë nuk u bë realitet. “Kavaja ka vuajtur shumë. Bashkëqytetarët e mi e kanë pasur jashtëzakonisht problem, pasi ka pasur një rrjet të amortizuar dhe kanë vuajtur shumë me pjesën e ujit. Falë mbështetjes së Kryeministrit dhe qeverisë Rama u bë i mundur ky investim, që do të zgjidhë këtë problem të trashëguar”, tha kryetari Bashkisë së Kavajës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb