Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në studion e News24, ka analizuar zhvillimet e fundit rreth hetimeve të SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë, duke u ndalur veçanërisht te dosja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe implikimi i mundshëm i kryeministrit Edi Rama.
Hoxha theksoi se akuza fillestare për pabarazi në tendera ishte vetëm maja e ajsbergut për të çmontuar të gjithë “rrjetën e merimangës”.
Sipas tij, përveç akuzave shtesë për lotet e rrugëve, SPAK e ka zgjeruar hetimin për korrupsion, pastrim parash dhe organizatë kriminale. Gazetari u shpreh se nëse mblidhen të gjitha akuzat e ngritura nga prokurorët e posaçëm, dënimi për Ballukun mund të shkojë deri në 36 vite burg.
Më tej, Poli Hoxha zbuloi se dosja përmban një numër të madh letër-porosish ndërkombëtare për të gjurmuar lëvizjet financiare dhe tjetërsimin e parave të vjedhura në prona e llogari bankare jashtë vendit.
Ai nënvizoi se linjat e shumë hetimeve çojnë në mënyrë të natyrshme te kryeministri Edi Rama, emri i të cilit, sipas tij, del në shumë dokumente. Hoxha deklaroi se ka ardhur koha që Rama të thirret zyrtarisht në SPAK për të dhënë shpjegime, pavarësisht rezistencës dhe përpjekjeve politike për të penguar e bllokuar procedurat e drejtësisë.
