Vijojnë tensionet në protestën e banorëve të zonës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, të cilët prej ditësh kundërshtojnë kushtet e kontratave të qirasë së tokës me kompaninë Bankers Petroleum.

Mëngjesin e sotëm, protesta është zhvendosur pranë ambienteve të vendburimit, ku banorët kanë hapur me forcë derën e sheshit satelit 3. Ata kanë kërkuar që të rishikohen kontratat dhe kundërshtojnë përgjysmimin e vlerës së qirasë së tokës.

Protesta e zhvilluar dy ditë më parë pranë zyrave në vendburim nuk solli negociata me përfaqësuesit e kompanisë. Përballë mungesës së një marrëveshjeje, banorët kishin paralajmëruar se do të vijonin protestën përmes bllokimit të shesheve ku zhvillohet aktiviteti i kompanisë.

Ashtu siç kishin paralajmëruar, ata janë mbledhur sot përpara sheshit satelit 3 të Bankers Petroleum dhe kanë hapur derën me forcë, duke hyrë në ambientet e sheshit.

Banorët shprehen se nuk do të lejojnë përgjysmimin e vlerës së qirasë së tokës, e cila sipas tyre rrezikon të ulet nga 4 milionë lekë për dynym në 2 milionë lekë. Për këtë arsye, ata kërkojnë prishjen e kontratave aktuale të qirasë dhe kundërshtojnë kushtet e reja.

Megjithatë, përpjekja e tyre për të ndaluar punonjësit nuk ka vijuar, pasi sipas protestuesve, një veprim i tillë do t’i ekspozonte ata ndaj penalizimeve ligjore.

Për këtë arsye, banorët kanë vendosur të ndryshojnë mënyrën e protestës. Duke nisur nga dita e nesërme, ata kanë paralajmëruar se secili prej tyre do ta vijojë protestën në tokën e vet, në shenjë kundërshtimi ndaj kushteve të kontratave të qirasë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb