KAMZË- Banorët e Kamzës kanë protestuar sot për ndërprerjen e energjisë elektrike nga OSHEE. Bëhet fjalë për familjet që jetojnë në ish-konviktet e Institutit Bujqësor, të cilët kanë deklaruar se u është prerë energjia prej 4 ditësh. OSHEE ia ka ndërprerë energjinë këtyre banorëve pasi rezultojnë debitorë.

Protestuesit janë mbledhur tek rrethrrotullimi i Institutit në Kamzë. Është dashur ndërhyrja e policisë për të ndaluar banorët të bllokonin rrugën. “Nuk kemi drita prej 4 ditësh jemi 560 familje pa energji. Rezultojmë debitorë për janarin
Ne i paguajmë dritat brenda çmimit të qerasë”, kanë pohuar banorët.

Nga ana tjetër Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaron se në ambientet e ish- konvikteve të Institutit Bujqësor Kamzë jetojnë 537 familje, të ndara në 8 godina që janë furnizuar dhe vazhdojnë të furnizohen me energji elektrike nga Instituti Bujqësor Kamzë, sot Universiteti Bujqësor. Ky furnizim është bazuar në marrëveshjen me këtë institucion për shlyerjen e detyrimit ndaj OSHEE-së.

Sipas OSHEE-së, deri më 31 dhjetor 2013, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.198, dt 3 prill 2014, këtyre banorëve iu është bërë një shuarje e detyrimit për faturat e energjisë elektrike në vlerën 622 milionë lekë të reja.

“Më 30 dhjetor të vitit 2014, me ndërmjetësimin dhe të prefektit të Tiranës u arrit një marrëveshje me familjet që të instaloheshin panele matje të konsumit të energjisë elektrike për secilën godinë, në mënyrë që pagesa për energjinë të bëhej në bazë të konsumit dhe jo aforfe si deri atëherë. Edhe pas instalimit të sistemit të matjes dhe stabilizimit të furnizimit me energji elektrike nga ana e kompanisë, familjet nuk i kanë paguar asnjëherë faturat e energjisë së konsumuar tek Universiteti Bujqësor, i cili ka në administrim ish-konviktet dhe si rrjedhojë ky institucion nuk ka derdhur detyrimet ndaj OSHEE-së për këto familje. Në total detyrimi që 537 familje i kanë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nga 1 janari 2014 e në vazhdim është 142 milionë lekë të reja. Në këto kushte, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, është i detyruar në respektim të ligjit të bëjë ndërprerjen e energjisë elektrike deri në shlyerjen e detyrimeve për energjinë e konsumuar. I bëjmë thirrje banorëve të respektojnë marrëveshjen me Universitetin Bujqësor dhe me OSHEE duke paguar detyrimet e tyre. Ftojmë të gjithë abonentët e tjerë debitorë që kanë detyrime të prapambetura ndaj OSHEE, të bëhen pjesë e skemës lehtësuese të ofruar nga kompania duke i rikujtuar se afati i fundit është data 28 shkurt”, deklaron OSHEE-ja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: