Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj në një intervistë pë “News 24” deklaroi se kritikat e kreut të PD-së Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi janë adresime të gabuara.

Veliaj tha se Basha e Kryemadhi, kur kishin mandatin qeverisës, nuk bënë një shkollë dhe nuk lanë gjurmët e tyre në Tiranë. “Monika Kryemadhi nuk ka bërë asnjë shkollë dhe asnjë projekt për 30 vjet.Ne kemi bërë rregullime në shkollën Kosova. Vitin tjetër, shkolla “Sami Frashëri” do të ketë pajisje moderne, do i rrisë edhe vlerën pronës tek Rruga e Barrikadave. Mundohen që të kapin një votë për një parti që është e rrënuar nga votat.

Momentalisht nxënësit e Sami Frashërit jnë akomoduar tek shkolla Çajupi. Kryemadhi dhe Basha s’kanë bërë një shkollë në mandatin e tyre. Kryemadhi gënjen. Basha dhe Kryemadhi nuk kanë lënë asnjë gjurmë në historinë e Tiranës. Ne kemi bërë më të mirën në kohë pandemie”, tha ndër të tjera Veliaj.

Erion Veliaj e cilësoi një gënjeshtër të madhe deklaratën e Kryemadhit dje, e cila tha se shkolla e re “Sami Frashëri” do të ndërtohet në Paskuqan.

Veliaj sqaroi se kjo është një gafë e Kryemadhit, pasi Paskuqani bie në Kamëz dhe ky është një tjetër tregues se ajo nuk di as kufijtë e Tiranës.

“Kryetarja e LSI-së ka rreth 30 vite që ia fut kot! Thotë të pavërteta, hap panik, mundohet të shfrytëzojë fatkeqësitë apo vuajtjet e dikujt për kapital politik. Ajo është një kartë e djegur. Mjafton të shihni sot fillimin e punimeve të rruga e Barrikadave, ku ka qenë ish-shkolla ime e vjetër “Sami Frashëri”, një projekt që është bërë me dashuri, është financuar nga qeveria shqiptare. Do të jemi pasnesër bashkë me Ogertën për inspektim te shkolla “Sami Frashëri”.

Është pjesë e projektit të rindërtimit, që përfshin edhe 10 shkolla të tjera, pra 11 në total. Por, si gjithmonë, kryetarja e LSI-së hap panik, gënjen publikisht, pa u skuqur fare. T’i vijë turp sepse panikos prindër dhe fëmijë që nuk i kanë asnjë borxh, as asaj, as familjes së saj, as LSI-së. Shkolla e re do ndërtohet në kohë rekord dhe besoj do kapim vitin tjetër shkollor. Shkolla shkon nga 24 klasa në 48 klasa, me 7 laboratorë. Për nga vlerat e arkitekturës, si çdo shkollë e re, si shkolla “Kosova”, “Servete Maçi”, “Betim Muço”, si shkolla “Ardian Klosi”, si shkollat e reja që po ndërtohen në Institutin Bujqësor, te Don Bosko dhe Shqiponja, do i rrisin vlerën pronës. Prona, ose vlera e ndërtesës apo apartamenteve rritet kur janë edhe institucionet arsimore pranë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Basha e Kryemadhi, kur kishin mandatin qeverisës, nuk bënë një shkollë dhe nuk lanë asnjë gjurmë në Tiranë. “Nëse Lul Basha dhe Monika Kryemadhi më gjejnë një shkollë që bënë gjatë qeverisjes së tyre në Tiranë, unë do ta lë këtë pozitë sepse them kanë lënë një gjurmë në këtë qytet. Por ata nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Është për të ardhur keq që një drejtuese partie, që para ca kohësh ishte në parlament, as nuk e di që Paskuqani i bie në një Bashki tjetër.

Pra si mund të ndërtojë Bashkia e Tiranës një shkollë në një Bashki tjetër? Pse jo në Tropojë, ose Kukës? Kështu thjesht diskreditohen ata që i thonë ato gënjeshtra. Besoj që shumë njerëz që për 30 vite bëjnë pyetjen: Këta personazhe që janë mbajtur me paratë e taksapaguesit, çfarë gjurme kanë lënë? Përgjigjja, fatkeqësisht është: Zero, asnjë gjurmë”, theksoi Veliaj.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb