TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përkujtuar sot Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, duke e vlerësuar atë si nismëtarin e lëvizjes për liri. Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, kryedemokrati shprehet se ai “është arkitekti i Kosovës së pavarur”.

Basha tha se në këtë ditë vjen edhe lajmi i mirë për Kosovës, ai i miratimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Parlamenti Europian, duke e sjellë vendin një hap më afër familjes evropiane.

“Me mirënjohje përkujtojmë sot Presidentin Ibrahim Rugova, liderin vizionar, nismëtarin e lëvizjes madhore për liri, arkitektin e Kosovës së pavarur. Vizioni dhe vendosmëria e Presidentit Ibrahim Rugova janë guri i themelit mbi të cilin u ngrit shteti i pavarur e demokratik i Kosovës, i cili po konsolidohet çdo ditë e po rreshtohet krah për krah shteteve të tjera demokratike të botës. E s’ka lajm më të mirë që mund t’i jepej Kosovës në këtë ditë se miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Parlamenti Europian, duke e sjellë një hap përpara drejt bashkimit me familjen europiane, një hap më pranë realizimit të ëndrrës dhe vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova. Në këtë ditë do të doja shumë që Tirana, kryeqendra e kombit të kishte shtatoren tashmë gati të Presidentit Rugova. Vendosja e kësaj vepre mund të vonohet por askush nuk do t’ia mohojë dot Tiranës përjetësim e mirënjohjes mbarëkombëtare për veprën e pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova”, shprehet Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb