Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetin social ‘Facebook’ lideri i PD-së Lulzim Basha deklaroi se opozita jashtëparlamentare i qëndron ende idesë për krijimin e qeverisë tranzitore pa kryeministrin Rama, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Teksa iu është përgjigjur pyetjeve të tyre, Basha tha se qëllimi i PD-së është që vendit t’i kthehet besimi në ekonomi.

“Po, votimi elektronik dhe numërimi elektronik janë një nga pikat që do të kërkohet nga PD dhe opozitat e bashkuar. Ne kemi parë se si mund të ndërtohet një sistem i tillë. Votimi elektronik, ky proces garanton që procesi të jetë i barabartë. Ai është gati që të shkatërrojë procesin zgjedhor që të mbajë pushtetin (Rama). Ne i kemi parashtruar në 16 shkurt të vitit të kaluar, kërkesen per zgjedhje të parakohshme. Na japin dhe leksione. Ata janë hajdutë të zgjedhjeve. Qeveria tranzitore është garanci dhe pa Ramën kryeministër. Ne do të bëjmë gjithçka që të realizohet votimi dhe numërimi elektronik. Votimi elektronik dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar në tryezën e Reformës Zgjedhore. Janë një nga pikat e programit të punës. Ne kemi parë në dhjetor se si mund të ndërtohet një sistem për votimin elektronik relativisht brenda një kohe të shkurtër, një sistem i thjeshtë, i cili mund të mos e eliminojë, por do ta bëjë shumë më të vështirë procesin e shitblerjes së votës apo të identifikimit të mënyrës se si kanë votuar zgjedhësit. Pra do ta bëjë shumë më të lehtë për qytetarët që ta shprehin vullnetin e tyre pa u ndikuar nga paratë e pista apo nga krimi. Po, votimi elektronik, numërimi elektronik por edhe identifikimi biometrik, janë dhe mbeten prioritete për në në Reformën Zgjedhore. Ne duam dhe do të bëjmë gjithçka që në zgjedhjet e ardhshme të përdoret teknologjia dhe shqiptarët të votojnë në mënyrë sa më të sigurt. Natyrisht nuk varet vetëm nga ne. Pala tjetër duhet të bjerë dakord po kështu dhe e dyta, pala tjetër duhet të kishte nisur prej kohësh hapat për ta blerë këtë sistem, për ta testuar këtë sistem. Megjithatë më mirë vonë se kurrë. Ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë me pajisje elektronike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato vendore në një ditë”, tha Basha.

Po ashtu lideri i PD-së tha se modeli maqedonas është garanci për rregulla të barabarta loje. “Së pari, vendit t’i jepet mundësia, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të zgjedhë një parlament legjitim, që të jetë produkt i votës së qytetarëve. Të jenë qytetarët ata që do të vendosin për cilën parti, për cilin program, për cilët deputetë do të votojnë. Së dyti, që ky proces të garantohet, rregullat e lojës të jenë të barabarta për të gjithë. Së treti, që këto rregulla loje të zbatohen, të kemi një arbitër të paanshëm dhe jo një qeveri, e cila, për hir të pushtetit apo aferave, në të cilat është zhytur, është gati të shkatërrojë procesin zgjedhor, vetëm e vetëm të mbajë pushtetin. Për këtë arsye, ne i qëndrojmë pikë për pikë kërkesave që kemi parashtruar prej datës 16 shkurt të vitit të kaluar, zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore pa këtë kryeministër, sepse, në fund të fundit, është ky kryeministër dhe kjo qeveri që kanë vjedhur zgjedhjet. Kërkesat tona janë fare të thjeshta. Kërkesa jonë kryesore është – mos vidh! Po dëgjoni shpesh, që njerëzit më problematikë, që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet, duke blerë vota me krimin e organizuar, na japin leksione mençurie çfarë do të bëjmë me zgjedhjet. Çfarë do të bëjmë me zgjedhjet? Mos vidh! Ju jeni hajdutët e zgjedhjeve, mos i vidhni zgjedhjet! Nuk është çështje dëshire për t’i besuar dikujt që ka vjedhur jo një, jo dy, por tre palë zgjedhje, edhe një palë zgjedhje pa kundërshtarë, siç ishte 30 qershori. Prandaj, qeveria tranzitore është një garanci. Siç funksionon në Maqedoni, le të funksionojë edhe në Shqipëri.”, pohoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: