Nga: Elda Menga

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndryshon strategji me aleatët. Manovra e ish-liderit Sali Berisha për të bërë pjesë të listave, krerët e partive kryesore aleate, nuk shihet si e duhura. Nënkryetari demokrat Edmond Spaho konfirmon për “News24” dhe “BalkanWeb” se në zgjedhjet e 18 qershorit asnjë aleat nuk do të dalë deputet prej listave të partisë.

A ka pasur kërkesë të aleatëve për tu bërë pjesë e listave të PD?

“Jo, jo, jo, asnjë kërkesë të kësaj natyre. Dhe nuk ka për të pasur individë nga partitë e tjera, qofshin këta edhe kryetarë, që të jenë në listat e PD. Eksperienca e zgjedhjeve të vitit 2013 tregoi që nuk ishte ndoshta më e mira”, garanton numri dy i PD-së për “News24” dhe “BalkanWeb”.

Në 2013 Sali Berisha, u tregua bujar me partitë kryesore aleate, duke bëre kryetarët e tyre pjesë të listave, një manover kjo që rezultoi e gabuar. Shpëtim Idrizi ishte i pari që braktisi demokratët për tu bashkuar me Edi Ramën. Një vit më vonë të njëjtën rrugë ndoqi edhe demokristiani Nard Ndoka. Por, me aleatët Lulzim Basha është bashkë në betejën për garantimin e votave.

Edmond Spaho një replikë e ka edhe me OSBE/OHDIR, qe thotë se nuk ka kohë për përdorimin e elektronikës.

“Kërkesa për votim elektronik është detyrim ligjor. Është në mandatin e OSBE të jetë garant i procesit dhe jo kronometri i datës së zgjedhjeve, kështu që në këtë kuptim është në detyrën dhe përgjegjësinë e OSBE që ka 25 vite në Shqipëri që kryen reforma, që të garantojë një proces të lirë dhe të ndershëm. Ne nuk do hyjmë për të qenë fasadë në zgjedhje, apo për t’i dhenë legjitimitet zgjedhjeve të vjedhura. Nuk do lejojmë që këto zgjedhje të vidhen dhe për këtë qëllim do përdorim çdo mjet që na lejon demokracia, pasi është vullneti i qytetarëve shqiptarë që të kenë një proces zgjedhor të besueshëm si në të gjithë vendet e tjera”, – theksoi Spaho.

Opozita ka braktisur komisionin e reformës zgjedhore dhe kthimi është në pikëpyetje për sa kohë kushti i saj nuk plotësohet.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb