TIRANË

Kreu i PD Lulzim Basha deklaroi sot se kryeministri Edi Rama dhe kupola drejtuese e PS janë përgjegjëse që Shqipëria ka ngelur në vend numëro.

Në emisionin “Tempora” Basha tha se më 25 prill shqiptarët duhet të vendosin me votë se si do jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre. Ai tha se detyra e tij është të projektojë dhe zbatojë të ardhmen.

“Thirrja ime është që me 25 prill përgjegjësinë për ndryshim ta kthejnë në votë, për veten e tyre, për familjet e tyre, për fëmijët e tyre. Sepse si kurrë më parë, kjo votë do të vendosë se si do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre.
Tek unё, tek Partia Demokratike, tek Koalicioni Pёr Ndryshim shqiptarët kanё garancinë se atё rrugё qё e kemi përshkruar sё bashku e kemi bёrё sё bashku, do ta rifillojmë. Edi Rama dhe kupola drejtuese e Partisё Socialiste janë përgjegjës qё Shqipёria ka ngelur nё vendnumëro pёr këto 8 vite.
Çdo shqiptar e di, që ndryshim pa larguar Edi Ramën nuk mund të ketë. Pra, në qoftë se voton për ndryshimin nënkuptohet largimi i Edi Ramës.
Edi Rama dhe Veliaj besojnë që po nuk vodhe nuk punon, ata quajnë punë vjedhjen. Në këtë pjesë jemi krejt të ndryshëm. Por unë nuk kam ndërmend të merrem me të kaluarën. Detyra ime është të projektoj dhe të zbatoj të ardhmen.
Votoni për një Shqipëri të normalitetit të zhvillimit ekonomik dhe të integrimit në Bashkimin Europian. Është në dorën tuaj të zgjidhni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj ndaj votoni numrin 9, Partinë Demokratike për ndryshimin që dëshironi dhe meritoni të gjithë ju në 25 prill.
Unë zotohem para jush, që jo vetëm do të sjell dimensionin e munguar, të këtyre tetë viteve të lirisë mediatike, porse angazhimi im është që nëse programi ynë, zotimet e këtij programi nuk përmbushen brenda 4-vjeçarit të parë, nuk kërkoj një mandat të dytë dhe e konsideroj këtë pjesë të themelimit të një kulture të re politike”, deklaroi Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: