Dekorimi me çmimin “Toga e Artë 2015” e gjyqtares Fatmira Laska nga Shoqata e Avokatëve Penalistë nxiti dje reagimin e bashkëshortes së poetit Havzi Nela. E revoltuar, Lavdije Nela tha se Laska është një nga gjykatëset që firmosën dënimin me varje të poetit, ndaj shteti duhet t’i kërkojë të paktën falje.

“Unë nuk kërkoj hakmarrje ndaj Fatmirës, por të paktën të pendohet të thotë se ka bërë faje. Të na kërkojë falje, ne i falim tani, nuk i vrasim. Nuk jemi si shpirti i atij, që na vrasin, që janë kriminelë. Nuk bëjmë gjëra të gabuara. Kurse ne këtu na dënojnë më keq se kriminelët. Ata i lëvdojnë, ne na dënojnë. Si ka mundësi shteti demokratik sot mbas 25 vitesh demokraci të nderohen dhe të dekorohen kriminelët? Kjo ka qenë gjyqtare në atë kohë dhe ka firmosur për bashkëshortin tim për varje me litar bashkë me Ramiz Alinë dhe Femi Avdiun dhe nuk ka marrë asnjë masë për 25 vite demokraci. Unë kam pritur nga drejtësia shqiptare që të dalin para drejtësisë, të dëshmojnë, të japin llogari. Por jo të nderohen dhe të dekorohen kriminelët. Një grup avokatësh që janë te shoqata e avokatëve nuk i takon t’i nderojnë dhe t’i dekorojnë. Për mendimin tim, të gjithë janë kriminelë. Më kriminelë se kriminelët janë. Unë nëse takoj Fatmira Laskën i them të paktën të ketë kurajën dhe të na kërkojë falje publike, të dalë në televizor, të thotë fajin që ka bërë ajo”, – deklaroi gruaja e Havzi Nelës, poetit që kundërshtoi regjimin komunist dhe që u ekzekutua me varje në vitin 1988 në moshën 54-vjeçare pas vendimit të dhënë nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb