Është përkujtuar sot 35-vjetori i varjes së poetit Havzi Nela. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë në ndër të poetit, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ai ishte luftëtari lirisë dhe jo terrorist.

“Havzi Nela dhe ju të tjerët që jeni sot këtu, në një kohë të tillë, shumë të ngjashme, identike, burgu ishte i sigurt, por nëse tejkaloheshin edhe me fjalë, disa standarde që diktatura i dënonte me dënim kapital, kishte dhe dënim kapital. Në këtë kontekst, Havzi Nela ishte një gjeni i kurajës njerëzore. Në udhëtimin e një intelektuali mes konformizmit dhe qëndresës ai zgjodhi qëndresën dhe qëndroi i pamposhtur në çdo rrethanë. Havzi Nela, është një simbol i ndritur, është një simbol nga më të arrirët në historinë e lirisë, të mendimit të lirë, dhe është një poet universal. Poetët, shkrimtarët kanë gjithmonë dimensionin e tyre universal. I gjithë dimensioni universal i Havzi Nelës ishte dinjiteti dhe liria e kombit, dinjiteti njerëzor. Ishte dhe Kosova. Në kohën e Havzi Nelës, Kosova ishte e ndaluar.

Unë linda dhe u rrita në Tropojë, por librat e mi flisnin për Mongolinë dhe për Kosovën, asnjë fjalë. E ndaluar, nuk kishte fjalë. Fatmirësisht që familjarët nga mëngjesi në darkë flisnin vetëm për Kosovën, por Kosova ishte e ndaluar. Havzi Nela i kushton asaj mijëra vargje. Në këtë kontekst ai është një simbol i ndritur, një tribun lirie, por edhe një simbol i ndritur i mendimit intelektual, fuqisë së poezisë. Elegjia e tij, ‘Ejani të vajtojmë Shqipërinë’ është një nga elegjitë më të bukura të letrave tona. E tillë është edhe ‘Saharaja’ e Vilson Blloshmit. Ajo që të bën përshtypje është se tek sinteza që i bëjnë, godasin me guxim dhe të dy e paguan me jetë, të gjitha aspektet e atij regjimi. Izolimin total, mungesën e lirive. Havzi Nela është gjeni guximi.”, tha Berisha.

Berisha tha se Kristaq Rama ka firmosur i pari për varjen e Havzi Nelës, dhe i biri, kryeministri Rama sipas tij, sot nuk kërkon të falur, sepse ruan trashëgiminë atërore. “Terrorist ishte regjimi dhe regjimi e pranonte se ishte terrorist me dokumente, kurse Havzi Nela ishte luftëtar lirie. Ai është një gjeni guximi jo vetëm me vargje, por në çdo aspekt. Havzi Nela është një simbol sot me një rëndësi shumë të veçantë.
Miqtë e mi! Çfarë është kjo kohë sot. E vërteta është se nëse u referohemi poetëve, sepse ata kanë ndjheshmërinë më të madhe, kjo është koha klasike e lirisë së rreshme dhe liria e rreme qenka forma më fatkeqe për njeriun.
Unë mund të ndalem shumë aspekte, por do të ndalem vetëm tek i fundit, tek aspekti i procesit ‘Metamorfoza’.
Çfarë ka aty, çfarë kanë shqiptarët aty? Shqiptarët aty kanë një mori kriminelësh të nëndheshëm, të cilët njëlloj si dikur oficerët e sigurimit të shtetit, të vrasin natën dhe të qajnë ditën, të ndihmuar nga njerëz me uniformë. Të ndihmuar nga shefa të lartë policie, të lidhur absolutisht direkt me kryeministrin e Shqipërisë.
Nuk ka shqiptar që ka njohur Pëllumb Gjokën dhe nuk e di se ai ishte mik i ngushtë i Edi Ramës, se ai drekonte e darkonte, rregullisht me Edi Ramën, por porosiste vrasje, paguante, përdore oficerë, media, çdo gjë. Nëse e lexoni me vëmendjen këtë proces, ju do të shikoni se ky regjim, Edi Rama pasardhës direkt i tyre. I ati i tij ka firmën në varjen e Havzi Nelës. Nga të gjithë ata që kanë firmosur, njeriu që në aparencë pritej që të mos firmoste, ishte i ati i tij, sepse ishte skulptor, intelektual gjoja. Jo vetëm që ka firmosur i pari, por i biri dhe sot nuk kërkon të falur, sepse ruan në nënshtresën e vetëdijes së tij trashëgiminë atërore.
Ky njeri njëlloj si etërit që përdornin hanxharët, që edhe shkelnin ligjet dhe çdo gjë në veprimin e tyre, edhe ky përdor tani një krim të rrjetëzuar në mënyrën më të paimagjinueshme, kundër lirisë së qytetarëve shqiptarë, të cilët kujtojnë se janë të lirë. Jo s’janë të lirë. Ky është aspekti i nëndheshëm. Ky sot ka përqendrimin e të gjitha pushteteve.”, pohoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: