Pas ngjarjes që ndodhi në Qytet Studenti, ku lideri i PD, u fut në një prej godinave, por që u ‘përplas’ me sportelisten, vjen një reagim nga Lulzim Basha. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Basha shkroi se punonjësja e konviktit, i kërkoi të largoheshin nga godina, me porosi nga lart.

Lideri i PD-së tha se si shërbyes publik, ai nuk do të lejojë askënd që ta pengojë të dëgjojë problemet e bashkëqytetarëve. Mes të tjerash ai dha edhe një mesazh të qartë atyre që “merren me kërcënime dhe frikësime, të rishqyrtojnë taktikat e tyre. Populli shqiptar do të dëgjohet!”.

Kujtojmë se dje Bashkia e Tiranës denoncoi Bashën, pasi ai hyri në godinën nr.4. Por sipas bashkisë, Basha nuk kishte marrë leje për të hyrë në konvikt.

REAGIMI I BASHËS
Ngjarjet e mbrëmshme janë një pasqyrë e qartë e realitetit me të cilën përballet Shqipëria. Mbrëmë isha ftuar nga disa studentë për të parë si jetojnë dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Studentët tanë janë e ardhmja e këtij vendi, shqetësimet e tyre janë shqetësimet tona. Kjo është rruga që kemi zgjedhur ne. Rruga e të dëgjuarit, rruga e përfaqësimit të vërtetë të të gjithë shqiptarëve.

Kur mbërritëm në godinë u takuam me një punonjëse të konviktit, e cila na kërkoi të largoheshim. Kjo porosi erdhi nga lart. Kjo në fakt është rruga tjetër. Rruga e frikësimit dhe kërcënimit të njerëzve për t’ju mbyllur gojën dhe për ti mbajtur të nënshtruar e nën kontroll. Për mua politikanët duhet të jenë shërbëtorë të popullit, jo e kundërta. Prandaj nuk do të lejoj askënd që të më pengojë të dëgjoj problemet e bashkëqyetarëve të mi dhe të përpiqem t’i ndihmoj ata. Kjo është arsyeja pse u bëra pjesë e jetës publike.

Ju bëj thirrje atyre që kanë zgjedhur rrugën e kërcënimeve dhe intimidimeve që ti vënë gishtin kokës. Askush dhe asgjë nuk do ti ndalë njerëzit që të dëgjohen dhe ta thonë fjalën e tyre.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: