“Vetëm një orë m’u desh mua që të vendosja, mbasi bisedova me shokun Enver. Vetëm një orë!”. Kështu do t’i thoshte të birit, Skënderit, kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu, në fillim të shtatorit 1981, ndërsa gjithë padurim priste të ngrinte receptorin e telefonit dhe t’i jepte Enver Hoxhës “sihariqin”: Fejesa u prish! Në librin me titull “Vjeshta e ankthit”, botim i vitit 1994, djali i ishkryeministrit, Bashkim Shehu, tregon variantin e tij të ngjarjeve, ashtu si ai i ka jetuar apo dëgjuar mbi ditët e fundit të jetës së babait të tij.

Një histori që nis me fejesën e të vëllait, Skënderit, me Silva Turdiun, një lidhje e cila u konsiderua një “gabim i rëndë politik”, pasi familja e vajzës kishte probleme në biografi, e do të mbyllej me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe dënimin e gjithë familjes. Shkak për botimin e këtij rrëfimi u bë ditari i Enver Hoxhës, në të cilin ai fliste për tri takime të njëpasnjëshme me Mehmet Shehun.

Një dokument për të cilin nuk ishte folur më parë. Varianti i Bashkim Shehut nuk iu ikën shumë shënimeve të diktatorit. Ishte ai që e thirri Mehmet Shehun nga Korça në 11 shtator, për t’i kërkuar llogari dhe po ai që i ka kërkuar prishjen e fejesës.

Të dyja rrëfimet përputhen, vetëm se janë parë nga këndvështrime të ndryshme. Nga njëra anë, diktatori që vigjilon mbi jetën e çdo shqiptari dhe me një të rënë të lapsit vendos t’i shkatërrojë ato, të hyjë në marrëdhëniet më intime mes njerëzve… dhe, nga ana tjetër, viktimat, të pafuqishme për t’i bërë ballë dhe kundërshtuar urdhrin e tij. Bashkim Shehu tregon ndër të tjera edhe për të njëjtat ditë që rrëfen edhe Enver Hoxha (11, 12, 13 shtator), por sigurisht parë nga brenda mureve të shtëpisë së Shehajve. Në rrëfimin e mëposhtëm, djali i Mehmet Shehut tregon si u bind Skënderi të prishte fejesën me Silvën. Biseda disaorëshe mes Mehmetit dhe djemve të tij, deri te telefonata e shumëpritur tek Enver Hoxha.

BASHKIM SHEHU
Të pasnesërmen, Silva kishte ditëlindjen dhe duhej t’i shkonim për ta uruar. Kjo do të ishte edhe vizita e parë nga ana jonë në shtëpinë e tyre. Babai nuk do të shkonte, por kjo nuk kishte të bënte sadopak me ato njollat në biografinë e vajzës. Puna është se nëpër vizita familjare ai shkonte rrallë, shumë më rrallë se nëpër vizita zyrtare, me sa duket dhe vizitat familjare kishin për të gjithsesi njëfarë protokolli zyrtar dhe, si kryeministër, s’mund të shkonte atje qysh në vizitën e parë, e aq më pak kur krushqia sapo ishte lidhur. Bardha gjithashtu nuk do të shkonte, ngase ishte shtatzënë dhe mjeku e kishte këshilluar të mos lëvizte shumë e të mos hipte as në makinë. As unë nuk do të shkoja, ngase isha në zbor.

Kështu që do të shkonin vetëm nëna, Marjeta dhe Ladi. Pra, tre njerëz nga ana jonë pa bashkëshortët e tyre, si të ishte kjo një ogur për ndarje, siç do të thoshte Marjeta pak ditë më vonë, kur të bëhej ndarja ndërmjet Silvës dhe Skënderit. Mirëpo kjo vizitë ishte një ogur që do të ndillte ndarje jo vetëm për të porsafejuarit, po edhe për të tre vizitorët: për Fiqreten, që do të mbetej e ve së shpejti, për Ladin, që do të ndahej nga e shoqja, duke vrarë veten pesë muaj plot pas vdekjes së babait, dhe një muaj mbas Ladit, për Marjetën vetë, e cila po ashtu do të ndahej përgjithmonë prej meje me futjen time në burg, i vdekur i pakallur ose i varrosur për së gjalli.

Nja dy ditë më pas u ktheva në shtëpi duke ikur nga kazerma, pa leje. Në shtëpi dëgjova nga Marjeta, pastaj nga Bardha jehonën e një pëshpërime që kishte filluar të qarkullonte gjithandej për fejesën e Skënderit, dhe që ishte vënë në lëvizje për shkak të atyre njollave. Në krye më erdhi të mos e besoja, duke kujtuar një rast kur profesor Turdiu, i ati i Silvës, kishte ngelur për vjeshtë të birin e Hysni Kapos, dhe ngaqë mendova se po të kishte ndonjëfarë njolle në biografi nuk do të merrte një guxim të tillë, kurse njerëzve të shumtë nuk u besohej që Mehmet Shehu të kishte dijeni për biografinë e rrethit të krushqve, madje kishte dhe asosh që nuk besonin fare se një fejesë e këtillë qe bërë. Skënderi dhe Silva ndërkaq ndodheshin në Greqi, ajo në një turne volejbolli, ndërsa ai transit, duke e shoqëruar, për të vazhduar, pastaj, për në Suedi, ku ishte me studime pasuniversitare. Mbas nja dy ditësh të tjera, ngase e dija babanë në Korçë për një konferencë partiake, sërishmi ika nga kazerma, qysh në mëngjes, dhe shkova në shtëpi. Mirëpo papritmas ai ishte kthyer, dhe ndodhej tek Enver Hoxha. Enver Hoxha e kishte thirrur, duke i kërkuar të kthehej me ngut, pa mbaruar punën për të cilën ishte nisur.

Mehmet Shehu erdhi prej këtij takimi disaorësh aty nga dreka. Unë nuk e pashë, se i fshihesha, çka ishte e lehtë me tërë ato dhoma që kishte shtëpia, por më thanë se dukej tejet i brengosur e i shqetësuar. Mbas darke mora vesh se do ta njoftonte Skënderin që të kthehej nga Greqia. Menjëherë të ravijëzohej pa mëshirë në tru prishja e fejesës. E ndava t’i dilja babait nga fshehtësira dhe ta pyesja të më thoshte troç pse do të kthehej Skënderi, le të më bërtiste për largimin nga kazerma.
silva-turdiu1

Le që, me këtë hall që kishte, as do të më kërkonte fare hesap nëse kisha ikur me leje apo pa leje. Ndodhej në dhomën e tij të fjetjes, po nuk kishte rënë ende për të pushuar. ­

Prapë ke ardhur? – më tha. Ke marrë leje? E gënjeva pa ngurrim, por jo pa një ndjenjë faji. Për të mos i lënë kohë të pyeste më tej, e pyeta unë për Skënderin.

­Kush të tha? – ma priti.

­Dëgjova nëpër shtëpi… ­

Të shoh të shqetësuar, – më tha, ndoshta pse kjo e bënte të ndihej për vete më i qetë, ose ngaqë me të vërtetë isha ashtu, qoftë prej çka kisha dëgjuar se Skënderi do të kthehej, qoftë prej asaj ndjenje të amullt dhe të vjetër faji që më kaplonte sa herë para tij.

­Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, – vazhdoi, duke u mëshuar fjalëve, – e kam thirrur për t’i dhënë disa porosira lidhur me qëndrimin e tij në Suedi, për arsye të situatës së re që është krijuar në Kosovë dhe në marrëdhëniet tona me Jugosllavinë. Do t’i them të ketë kujdes e të ruhet në këtë situatë që është krijuar. Për këtë e kam thirrur. Aty për aty ky shpjegim m’u duk i besueshëm dhe sikur ma davariti ankthin, sado i çuditshëm që dukej, po vetmevete e shpjegova me frikërat e kota të tij nga agjenturat e huaja.

Mirëpo, me të shkuar te Vladimiri dhe me t’ia përsëritur fjalët e babait, e kuptova se në këto fjalë nuk kishte kurrgjë të njëmendtë. Dhe s’mbetej tjetër shkak pse babai po e thërriste as me ngut e aq papritur Skënderin, po aq papritur dhe gjithë po aq ngutshëm sa ç’e kishte thirrur atë vetë Enver Hoxha, s’mbetej tjetër shkak, pra, veçse prishja e fejesës.

­Duhet ta ndiejë që jemi në anën e tij, – më tha Ladi, – Para se të bisedojë me babanë, të gjejmë rastin e t’i themi që të mos pranojë. Kurse babait duhet t’i kundërshtojmë edhe ne, po na pyeti. Silva tani është njeri i kësaj shtëpie.

Kjo ishte më e pakta dhe njëkohësisht më e shumta që mund të bënim, dhe që duhej të bënim patjetër.

Por, të nesërmen në mëngjes, kur na mori babai për të biseduar, as atë nuk e bëmë dot. Isha kthyer edhe njëherë nga zbori, kësaj here i thirrur prej babait. Me Ladin ai tashmë e kishte mbaruar bisedën. ­Është e kotë që t’i kundërshtosh, – më tha Ladi, para se të takohesha me babanë, – e ka vendosur dhe s’i kthehet mendja.

Babai më vuri para faktit të kryer, duke thënë se për prishjen e fejesës ishin të një mendjeje edhe ai, edhe Enver Hoxha, edhe krejt udhëheqja e Partisë. Më tha se edhe Vladimiri ashtu si ai mendonte. As mua s’ma mbajti që t’i kundërshtoja, por, duke e sjellë muhabetin lakadredhas, kinse i jepja të drejtë se fejesa nuk duhej bërë, pastaj duke shtuar se, përderisa udhëheqja e Partisë mendonte që kjo fejesë duhej prishur, unë s’mund të isha më i mençur, domethënë, udhëheqja i dinte më mirë këto punë dhe sigurisht që kishte të drejtë. E vetmja përpjekje që bëra, më në fund, për të ndihmuar tim vëlla, Skënderin, ishte njëfarë mendimi, i thënë ashtu me gjysmë zëri, se megjithëqë fejesa qenkësh krejtësisht e gabuar e politikisht e papranueshme, ndoshta prishja e saj do të ishte një gabim i dytë, sepse ndoshta kjo mund t’ia ulte prestigjin në popull Mehmet Shehut, sepse, ndoshta kushedi, në popull do pëshpëritej paskëtaj se i biri i tij u tall me një vajzë, ashtu siç talleshin njëherë e një kohë me fshatarkat bijtë e bejlerëve.

Por kjo as që i hyri në vesh babait. ­Përkundrazi, – më tha ai, – po të prishet fejesa, atëherë prestigji do të rivihet në vend. Populli, zaten, thotë se po ta dinte shoku Mehmet ç’biografi ka vajza, nuk do ta kishte lejuar djalin të fejohej me të, ose, po ta mësonte tani, patjetër ka për ta prishur fejesën. Ishin fjalët e Enver Hoxhës që përsëriteshin nëpërmjet gojës së tij, sikundër do të ndodhte gjithherë, dhe më shpesh gjatë vjeshtës së tij të fundit dhe gjer në ditën e tij të fundit.

Skënderi mbërriti ndaj të ngrysur, bashkë me Silvën. Për t’i pritur doli te dera vetëm Fiqretja, që i futi në dhomën më të afërt. Ndenjën pak, aq sa për të thënë që ndenjën, pastaj gjeti mënyrën për ta përcjellë Silvën shpejt e shpejt. Skënderi u ngjit pastaj te Mehmeti, në studion e katit të sipërm. Qëndruan aty me orë të tëra. Fiqretja herë hynte, herë dilte, ndërsa Mehmeti i fliste e i fliste Skënderit, pothuaj pa ndërprerje. Dhe kështu gjer nga mesnata, kur Mehmeti na thirri ne dy bijtë e tjerë. Edhe ai, edhe Skënderi dukeshin të lodhur e të vrerosur, por, ndërsa Skënderi ishte disi i përhumbur e i shembur krejt, lodhja e Mehmetit kishte trajtën e një padurimi. Na kërkoi edhe neve, Vladimirit dhe mua, të thoshim diçka. As këtë herë s’na e mbajti t’i jepnim sadopak mbështetje Skënderit. Nuk dinim ç’të thoshim.

Me siguri, edhe pak e do të kishim hapur gojën e të flisnim sipas vollës së babait, në qoftë se nuk do të kishte folur vetë, i paduruar:
­Kjo duhet bërë. Duhet të vendosësh. ­

Të mendohem një herë, – ia ktheu Skënderi, i rrënuar, gjithsesi i pafuqishëm në këtë kundërshtim të tij, që vetëm sa e shtynte atë që pashmangshëm kishte për të ndodhur. ­

Vetëm një orë m’u desh mua që të vendosja, – tha Mehmeti, – mbasi bisedova me shokun Enver. Vetëm një orë! Skënderi përtypej hutueshëm.

­Hë, t’i telefonoj shokut Enver? – thoshte herë pas here Mehmeti, a ta njoftoj që e vendose? ­

Po në qoftë se shkëputemi, – tha më së fundi Skënderi, – në qoftë se i marr unë mbi vete të gjitha pasojat dhe jetoj me Silvën të shkëputur prej jush?

Mehmeti u befasua, u mpi, po veç për një grimë të shkurtër. ­Atëherë… atëherë s’je më djali im!

Ky do të ishte mallkimi i babait, mallkimi i epërm, të cilin e kisha dëgjuar të më kanosej qysh në vogëli, duke e përjetuar dhe në moshë të rritur po njëlloj si dikur, mallkimin që rëndonte, peshën e tij të pamëshirshme. Të ndiqte, të përndiqte tërë jetën dhe në jetë të jetëve në amëshim, duke përjetuar pambarimisht vdekjen dhe ferrin. Confutatis maledictis. Skënderi, atë çast, ishte fëmija fajtor dhe i pambrojtur.

­Nuk është zgjidhje kjo, – vazhdoi Mehmeti, – nuk i ha populli këto.

Nuk i ha populli këto, ia kishte prerë Enver Hoxha Mehmet Shehut atë paradite, kur ky, teksa jepte e merrte në përpjekjet e fundit përpëlitëse për të mos e prishur fejesën, i kishte thënë diçka të ngjashme me atë që dëgjonte tani prej Skënderit, veçse jo që të humbte vetë djalin, po që vajza të shkëputej përgjithmonë nga prindërit dhe të afërmit e tjerë të saj. ­

Por në qoftë se do të prishet fejesa, atëherë jeta ime s’mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë, – tha Skënderi, duke i lëshuar udhë tashmë plotësisht babait, – s’është mirë të shkoj prapë në Suedi… të paktën do të isha më i qetë shpirtërisht po të mbetesha këtu, të shkoja në ndonjë rreth, në ndonjë uzinë… ­

Ti nuk ke pse shqetësohesh, – e ndërpreu aty për aty Mehmeti, – dhe nuk tingëllon mirë në qoftë se bëhet kështu. Kjo tingëllon si protestë, sikur s’je në një mendje me mua për prishjen e fejesës. Edhe shoku Enver tha që duhet të shkosh në Suedi të vazhdosh studimet… Hë, si do bëjmë? Shoku Enver po pret që t’i telefonoj…

Skënderi diçka mërmëriti.

­Po i telefonoj, tha Mehmeti, dhe ashtu bëri.

Në anën tjetër të linjës ishte Enver Hoxha. Fjalët e Mehmetit, të shkurtra e të pakta, ranë një nga një në një hon të errët pa fund, dhe kësisoj fejesa u zhbë.

Megjithatë, Skënderi duhej të shpjegohej vetë me Silvën, për çka duhej të takohej me të edhe një herë, që duhej të ishte, patjetër, hera e fundit. Jo në shtëpinë e saj, sepse donte që të ishin vetëm për vetëm, e as në shtëpinë tonë jo e jo, vajza këtu s’mund të vinte më këmbën tash e tutje.

Atëherë në shtëpinë e një njeriu të besuar, siç mund të ishte, për babanë, adjutanti i tij. Skënderi e mori Silvën aty të nesërmen, tërë një mbasdite ndenjën bashkë, qaj njëra e qaj tjetri, po para se të ndaheshin, ai i premtoi asaj se çfarëdo që kishte ndodhur dhe sido që të ndodhte, kishte për t’u kthyer nga Suedia në dhjetor, më datë 20 dhjetor, dhe kishte për ta takuar sërishmi.

Dhe Skënderi, përnjimend do të kthehej nga Suedia tamam në 20 dhjetor, apo më saktë një urdhër i Enver Hoxhës do ta kthente, për ta internuar menjëherë dhe pastaj pas dy javësh, për ta arrestuar… /panorama/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb