Liri Belishova, ish-funksionarja e lartë e Rinisë dhe Partisë Komuniste Shqiptare, që nga mbarimi i Luftës, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, deri në vitin 1961, e cila më pas u godit dhe u dënua nga Enver Hoxha, duke përfunduar familjarisht burgjeve dhe internimeve për tre dekada me radhë, në një intervistë të saj, pak kohë para se të ndahej nga jeta, do të rrëfente shumë episode që lidhen me jetën e saj, por edhe të gjitha privacionet që e ndoqën atë familjarisht, deri në shembjen e regjimit komunist, në fundin e vitin 1990.

Në këtë intervistë të gjatë, ajo tregon edhe shumë episode të tjera që lidhen me vdekjen e ish-të fejuarit të saj, Nako Spiru, por edhe shumë vrasje, burgosje, internime, e të tjera persekucione, që Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, ndërmorën ndaj shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre, njerëz dhe personalitete me shumë kontribut gjatë Luftës dhe pas saj.

Janë konjukturat politike dhe disa “aftësi” të veçanta që i duhen diktatorit. Pranë Enver Hoxhës për një kohë të gjatë ka qenë Koci Xoxe, por kam përshtypjen se, Enver Hoxha e ka pranuar Koci Xoxen si “kllasë punëtore”, nuk e ka dashur, madje ka patur njëfarë neverie ndaj tij; i’a kanë imponuar jugosllavët dhe kur u çlirua nga ata, u çlirua edhe nga Koci Xoxe.

Pas Kongresit të I-rë, kur kam qenë unë në Byronë Politike, partinë e shtetin, natyrisht, e drejtonte Enveri, por pranë tij ka qenë Sekretariati: Tuk Jakova, Bedri Spahiu dhe Mehmet Shehu. Pastaj, kur sipas eksperiencës sovjetike, Sekretariati ndërroi funksion, d.m.th., Byroja të ishte kryesorja dhe Sekretariati të drejtonte aparatin e Komitetit Qendror, doli Këshilli i Mbrojtjes. Gjërat më të rëndësishme, nuk diskutoheshin në Byro po, në Këshillin e Mbrojtjes. Enveri ishte kryetar dhe anëtarë ishin Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Beqir Balluku.

Për Mehmet Shehun them që i biri, Bashkimi, është treguar shumë në nivel, sepse ai ka bërë ndarje: Mehmet Shehu është babai im, por si bashkëpunëtor, bashkëfajtor të diktatorit Enver Hoxha, unë e dënoj. Gjë që nuk janë në gjendje dhe nuk mund ta bëjnë djemtë e Enver Hoxhës dhe nuset e tyre. Unë bëj një dallim, mes Enver Hoxhës dhe Mehmetit. Duke biseduar me shokë veteranë vë re, kritika të ashpra për Enverin dhe jo dashuri, kurse Mehmetin e kritikojnë, po megjithatë thonë se e duan.

Kam parasysh shokët e mi veteranë, se ka disa që i kanë trutë të “drunjëzuara” dhe ndoshta ashtu do të vdesin; madje ata e quajnë për “aferim” që kanë mbetur të “istikami”, duke harruar se edhe dialektika marksiste pranonte si ligj kryesor objektiv, zhvillimin e natyrës, shoqërisë njerëzore dhe mendimit. E vërteta verifikohet në praktikë, në jetë. Nuk mund të hahet gjithë jetën “sapuni për djathë”.

Çfarë kishte Mehmet Shehu më shumë nga Enver Hoxha?

Së pari, Mehmet Shehu kishte luftuar në Spanjë dhe në qoftë se flasim për merita personale, ai ishte figura më e shquar në Luftën Antifashiste. Enver Hoxha s’e ka bërë njëherë “bam” dhe është për turpin e të shoqes etj., që e kanë quajtur “strateg gjenial”. Ku është gjenialiteti i këtij “strategu”? Ai është përgjegjës për dy nga disfatat kryesore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në qarkun e Tiranës dhe në qarkun e Elbasanit. Së dyti, …”!

Si e kaloni kohën?

Pasojat e dënimit vazhdojnë për shumë vite me radhë, siç vazhdojnë pasojat e luftës. Lufta për qeveritë merr fund me armëpushimin, po invalidët, të sëmurët etj, vazhdojnë të vuajnë për shumë kohë. A e merrni me mend se sa vështirë e kanë gjashtë familjet tona, imja dhe e pesë vëllezërve? 30 vjet të persekutuar, të rrënuar krejt ekonomikisht. Mjafton t’ju them që çështjen e strehimit, ne e kemi zgjidhur vetëm 2 vjet e gjysmë përpara.

Ose që, me gjithë përpjekjet e lodhshme, unë akoma nuk kam statusin e të përndjekurit, kurse Koci Xoxes, i’a kanë dhënë! Ka të tilla absurditete. Jeta është shumë e vështirë. Më kanë vdekur burri dhe një vëlla dhe them që jeta e tyre është shkurtuar nga persekutimi. Im shoq, Maqo Çomo, ka bërë 27 vjet burg, tre vitet më të lehta, ishin vitet e internimit në Cërrik.

Unë aktivizohem me veteranët e Luftës Antifashiste, OBVL, ajo pjesë që është shkëputur nga Komiteti i Veteranëve. Kërkesa jonë ishte të mbanim qëndrim të hapur, duke dënuar diktaturën dhe diktatorin Enver Hoxha. Ata nuk pranuan dhe ne u larguam.

Ç’mendoni për ato që botohen në gazeta mbi Luftën Nacionalçlirimtare dhe periudhën e pas Luftës?

Është i natyrshëm interesi që tregohet për të kaluarën. Mendoj se botohet shumë, por në shumë raste cilësia është e dobët. Historia është çështje me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi. Mediat duhet t’u drejtohen më shumë historianëve, studiuesve serioze.

Përmbysja e diktaturës ka krijuar kushte për të bërë analiza reale në bazë të dokumenteve, duke reflektuar objektivisht, pa paragjykimet e historiografisë të komanduar për të lavdëruar Enver Hoxhën e diktaturën.

Sa më objektivë të jenë këto analiza historike, aq më të vlefshme do të jenë për zhvillimin e mbarë të kombit Shqiptar dhe e kundërta. Është si diagnoza e mjekut: vetëm në se ajo është e saktë do të caktohet drejt edhe kurimi për shërimin e të sëmurit, e kundërta dihet ç’pasoja ka.

Është dëshira ime e kahershme që Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim dhe me Fakultetin e Historisë, me Arkivin e Shtetit etj., të ketë një plan për çështje të ndryshme të historisë të Luftës Antifashiste dhe të periudhës të diktaturës, mbi partitë politike, mbi personalitetet e asaj kohe.

Këto t’u propozohen studiuesve të ndryshëm për të shkruar monografi dhe këto monografi të diskutohen në konsulta me studiues dhe dëshmitarë të asaj kohe.
Për shembull, rëndësia e LANC dhe vendi që zë ajo në historinë e shqiptarëve, a është ajo një luftë civile siç pretendojnë pa të drejtë disa etj.

PKSH-ja, roli dhe politika e saj gjatë Luftës, pse lufta e drejtë dhe heroike rezultoi me fitore të hidhur?

Forcat politike jo komuniste si “Balli Kombëtar”, “Legaliteti” etj., kush e sa luftoi kundër okupatorëve, kush e si bashkëpunoi me ta, pse fituan komunistët (të rinj e të panjohur) dhe humbën këta (klasa drejtuese e Shqipërisë) etj.

Më shumë rëndësi është: politika e PKSH-së të Enver Hoxhës për Kosovën e përgjithësisht gjysmën tjetër të Shqipërisë që u la nën okupacion nga Konferenca e 1913 e Fuqive të Mëdha, a i shfrytëzoi të gjitha mundësitë që i ofroheshin pikërisht nga deklarimet e Leninit e Partisë Komuniste etj. Sepse kjo çështje kishte po aq rëndësi sa edhe lufta për çlirimin nga okupatorët fashistë e nazistë. Po ç’bëri Enver Hoxha dhe PKSH-ja gjatë Luftës dhe pastaj? Më vjen keq që s’më bëtë një pyetje për këtë, por do të kemi rast tjetër.

Mos të zgjatem me shembuj. Nxjerrja e mësimeve nga historia, të shohësh ku janë anët pozitive, të ndahesh me të kaluarën e mbrapshtë, ka shumë rëndësi. Mentalitetet e sëmura të së kaluarës i vështirësojnë zhvillimet aktuale, pengojnë të bëhet ajo që duhet edhe për Kosovën etj. /memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb