TIRANE-Në mes të debatit që ka nisur në Shqipëri rreth një pajisjeje përgjimi që pretendohet se ekziston në policinë e shtetit, agjencia e lajmeve “BBC” i kushton një shkrim Shqipërisë dhe mënyrës sesi funksiononte përgjimi nga sigurimi i shtetit në kohën e diktaturës.

Në një artikull me titullin “Shqipëria fut në skenë pajisjen e përgjimit të kohës komuniste”, BBC hedh dritë mbi mënyrës sesi kryheshin përgjimet gjatë regjimit komunist.
Andrew Hosken e nis rrëfimin e tij duke folur për Nesti Vakon, njeriun që për 25 vjet ishte kreu i përgjimeve në policinë sekrete shqiptare.
“Ai ishte një njeri shumë i rëndësishëm. Njësoj si ai, edhe zyrat e Sigurimit nuk janë ashtu siç i kisha imagjinuar. Është një godinë me tulla të kuqe, që mund të kishte qenë shumë mirë rezidenca e ndonjë peshkopi,” thotë gazetari.
Vako është guida e gazetarit në shtëpinë që do të bëhet muze. Gazetari i BBC-së është takuar me Nesti Vakon, që cilësohet si inxhinieri më i rëndësishëm i periudhës komuniste. Vako, që për 25 vjet, ka qenë kreu i policisë sekrete të sigurimit, tregon se që të përgjoje një person në kohën e komunizmit duhet të merrje më parë lejen e prokurorit të përgjithshëm.
“Prokurori i përgjithshëm duhej të nënshkruante një urdhër për mbikëqyrjen e dikujt, dhe kjo vetëm për një kohë të kufizuar. Nuk bëhej asgjë e paligjshme”, ka thënë Vako për BBC.

Pajisjet e Sigurimit kanë dalë në ekspozitë.
“Pavarësisht se ka një CV të frikshme, Vako më pëlqen. Më duket i sinqertë teksa flet për rolin e tij në mbrojtjen e popullit nga ‘kryengritësit’ dhe ‘terroristët’”.

Gazetari i BBC thotë se përveç Shtëpisë me Gjethe, do hapet për vizitorët rezidenca e diktatorit dhe është hapur tashmë bunkeri personal i Hoxhës.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, thotë se këto iniciativa janë një fillim i mirë.

Por ai ka një keqardhje.
“Asnjë nga vendet origjinale ku ka ndodhur terrori i vërtetë nuk është kthyer në vend përkujtimor”.

“Ndoshta më famëkeqi është kampi i punës së detyruar, i quajtur Spaçi, rreth dy orë me makinë nga Tirana, që po rrënohet”.
“Ata kanë shkatërruar praktikisht të gjitha karakteristikat e një kampi pune dhe atje nuk ka asnjë pllakë përkujtimore- asgjë”.
Në fund të shkrimit të tij, gazetari shkruan: “Që nga ditët e errëta të diktaturës, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Pesë vjet më parë u bashkua në heshtje me NATO-n dhe tani është kandidate për anëtarësim në BE”.

“Por korrupsioni në politikë dhe gjyqësor mbeten një trashëgimi e së kaluarës. Ndërkohë që Shqipëria përpiqet që të plotësojë standardet e BE-së, mijëra shqiptarë janë larguar tashmë, duke besuar se do jenë më mirë diku në Europë”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb