Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka paralajmëruar trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.

Këto trazira, sipas kësaj partie që është pjesë e Qeverisë maqedonase, kanë për bazë një “skenar rus” të koordinuar, siç tha, mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase, VMRO-DPMNE dhe partisë, E Majta.

BDI-ja, që drejtohet nga Ali Ahmeti, përmes një deklarate pretendoi se fyerjet, që sipas saj po i bën opozita ndaj kandidatit të saj për president Bujar Osmani, si dhe ndaj kryeministrit me mandat teknik, Talat Xhaferit, bazohen në “mungesën e programit zgjedhor dhe nxitjes e tensioneve për shkak të humbjes në zgjedhje”.

Për këtë “skenar”, BDI-ja tha se ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar, por në komunikatë nuk saktësohet se për çfarë skenari bëhet fjalë dhe nëse për këtë ka marrë indikacione nga shërbimet e sigurisë të Maqedonisë së Veriut.

“Përshëndesim vendimin e OSBE-ODIHR që zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit t’i përcjellin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, pasi vlerësojmë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit për t’i thënë po Evropës, jo Rusisë”, u tha në reagimin e BDI-së.

Por, kryeministri teknik, Talat Xhaferi, ka thënë se Qeveria nuk ka informacione mbi tensione të mundshme para apo pas zgjedhjeve të dyfishta presidenciale dhe parlamentare.

“Për momentin nuk kemi të dhëna të tillë. Institucionet përkatëse, Agjencia për Zbulim, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe sektori i veçantë për siguri në Ministri të Mbrojtjes kanë raportuar për aspektet e sigurisë, por aktualisht nuk ka të dhëna. Por, tendenca për veprime hibride ka dhe kjo duhet të nxisë institucionet që të marrin masa parandaluese”, tha Xhaferi gjatë një vizitë në Tetovë.

Lidhur me pretendimet e BDI-së ka reaguar edhe kandidati për president i opozitës së bashkuar shqiptare, Arben Taravari, duke e akuzuar këtë subjekt politik për “hipokrizi”.

“Janë këto akuza qesharake dhe BDI-së nuk i ngjan t’i thotë. Nëse dikush nga partitë shqiptare ka afërsi me Serbinë, ajo është BDI… Nuk ka mundësi që opozita të organizojë diçka kur nuk ka pushtet. Nëse dikush është e shqetësuar dhe nervozuar në këtë kohë, unë mendoj se më shumë se BDI-ja nuk është askush”, deklaroi Taravari.

Zgjedhjet presidencial në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 24 prill ndërsa më 8 prill zgjedhjet parlamentare së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. /Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb