Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka dënuar ashpër rritjen e ekzekutimeve në Iran, duke akuzuar regjimin iranian se po vijon represionin ndaj popullit, shtatë muaj pas protestave masive.
“Shtatë muaj pas krimeve masive të kryera kundër popullit iranian, i cili u ngrit për të kërkuar drejtësi dhe dinjitet, regjimi vazhdon gjakderdhjen, duke rritur ekzekutimet. Kjo shtypje e patolerueshme dhe çnjerëzore duhet të ndalet”, shkroi Barrot në platformën X.

Deklarata franceze u kundërshtua menjëherë nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Ai akuzoi Francën për hipokrizi dhe i kërkoi Parisit të mos i japë leksione botës për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Vende si Franca duhet të ndalojnë së predikuari botës për ‘të drejtat e njeriut’ dhe të drejtën ndërkombëtare. Kjo hipokrizi është e hapur dhe e turpshme”, deklaroi Araghchi.

Ai e zgjeroi kritikën duke iu referuar luftës në Gaza dhe konfliktit me Izraelin, duke pretenduar se mbështetja e Francës për Izraelin i ka hequr asaj çdo “superioritet moral”.
Përplasja mes dy ministrave vjen në një kohë kur shqetësimi ndërkombëtar për përdorimin e dënimit me vdekje në Iran është shtuar, veçanërisht ndaj personave të dënuar për akuza të lidhura me protestat dhe sigurinë kombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb