TIRANE- Tre sulmet me tritol që tronditën sot kryeqytetin janë dënuar edhe nga përfaqësitë ndërkombëtare me seli në Tiranë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacioni i BE-së në vendin tonë kanë dënuar këto akte.

Ambasada e SHBA-së shprehet se përdorimi i dhunës si mjet kanosje është një akt burracak që minon demokracinë dhe nuk ka vend në Shqipërinë e sotme, ndërsa thekson edhe njëherë mbështetjen ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë.

“Ambasada e SHBA dënon me forcë përdorimin e eksplozivëve në sulme të veçuara sot në Tiranë. Përdorimi i dhunës si mjet kanosjeje dhe trysnie është një akt burracak që minon demokracinë dhe nuk ka vend në Shqipërinë e sotme. Ambasada e SHBA është krenare të vazhdojë mbështetjen e saj afatgjatë për Ministrinë e Brendshme, Policinë dhe të tjera shërbime të sigurisë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Edhe delegacioni i BE-së ka dalë sot me një deklaratë pas 3 atentateve me tritol të ndodhura në Tiranë. Duke shprehur tronditjen për ngjarjen, BE kërkon që autorët e këtyre akteve të vihen para dretësisë.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri është i tronditur nga shpërthimet e sotme dhe i dënon ato pa rezerva. Ne nënvizojmë mbështetjen tonë të fuqishme për forcimin e shtetit ligjor, pa kompromis. Ne besojmë se autorët e krimit do të dalin para drejtësisë dhe presim që të gjitha forcat politike të bashkohen për ta mbështetur këtë synim. Ne presim sjellje dhe ligjeratë të përgjegjshme nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike, sidomos për çështjet e shtetit ligjor, në funksion të interesave kombëtare të Shqipërisë”.
Ndërkohë prezenca e OSBE-së në Shqipëri u bën thirrje forcave politike të shmangin politizimin e sulmeve të sotme dhe t’u japin autoriteteve hapësirën për t’i hetuar plotësisht këto akte.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon fuqishëm të gjitha aktet e dhunës. Aktet e dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri moderne dhe demokratike. U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të shmangin politizimin e sulmeve të sotme dhe t’u japin autoriteteve përkatëse hapësirën për t’i hetuar plotësisht këto akte dhe për të identifikuar e vënë përpara drejtësisë përgjegjësit”- thuhet në reagimin e OSBE-së.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: