Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, prit sot të diplomuarit e rinj të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit i përgëzoi për përfundimin e programit, duke u shprehur se njohuritë e marra në këtë shkollë duhet t’i përdorin nesër si qytetarë aktivë të jetës publike. 
Presidenti Begaj e inkurajoi këtë brez të sapodiplomuarish që të dëshmojnë lidership dhe përgjegjësi për të kontribuar në shoqërinë shqiptare.
 
Gjatë bashkëbisedimit, një vend i veçantë iu kushtua procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Begaj evidentoi faktin se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi: atë të mbylljes së negociatave, që i hap rrugë anëtarësimit të plotë në BE.
 
“Faza në të cilën ndodhemi kërkon shumë më shumë punë, shumë më shumë angazhim dhe shumë më shumë bashkëpunim për konsolidimin e shtetit ligjor, për të ndërtuar institucionet demokratike, për forcimin e  lirive e të drejtave të njeriut, për forcimin e medias dhe për dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv”, – theksoi Presidenti Begaj,duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së ëndrrës dhe aspiratës së kahershme shqiptare për ta bërë Shqipërinë si Evropa me anëtarësimin e plotë të saj në BE.
 
Sipas Presidentit të Republikës, anëtarësimi në BE është dhe përgjegjësi e madhe në përmbushjen e reformave që kanë të bëjnë me standardizimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë sonë në atë nivel që kërkon Bashkimi Evropian. 
 
Në këtë linjë, Presidenti Begaj theksoi nevojën për vijimin e reformave transformuese që dëshmojnë pjekurinë e shtetit dhe të shoqërisë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes si një investim afatgjatë.
“Ju jeni ata që do të ndërtoni të ardhmen, – u shpreh Presidenti Begaj gjatë bashkëbisedimit më të rinjtë, duke i mbështetur ata në thellimin e njohurive të marra dhe për pjesëmarrjen në jetën shoqërore .
Forcimi i demokracisë në vend dhe rritja e përgjegjësisë në vendimmarrje u cilësuan në këtë takim si elemente thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit për plotësimin e standardeve e evropiane.
Presidenti i Republikës vlerësoi dhe rolin e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike në ndërtimin e një kulture të re politike dhe qytetare me frymë evropiane e me ndikim në shoqërinë shqiptare. Një falënderim të veçantë Presidenti Begaj përcolli dhe ndaj Këshillit të Evropës për mbështetjen e dhënë, duke theksuar rëndësinë për forcimin e këtij partneriteti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: