Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është bërë për herë të dytë baba i një djali.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se kryetarit të Bashkisë i është aprovuar nga Prokuroria e Posaçme eja dhe momentalisht është duke udhëtuar drejt maternitetit Koço Gliozheni, ku do të vizitojë beben dhe bashkëshorten.

Mësohet se Veliaj ka mbërritur tashmë në maternitet, ndërsa leja e siguruar nga Prokuroria e Posaçme ka një afat prej 48 orësh. Nuk është vendosur ende nëse Veliaj do të qendrojë në maternitet edhe gjatë natës.

Veliaj ndodhet në burg që prej 10 shkurtit të vitit 2025. Prokuroria e Posaçme ka ngritur një sërë akuzash ndaj tij, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb