Nga: KIÇO BLUSHI*
Më pyeti këto ditë një mik Belfiekultura se ç’kuptoja me fjalën belfi ekulturë dhe nëse përnjëmend kjo lloj “kulture e re”, – në qoftë e tillë, – ka nisur të lulëzojë e, pse jo, edhe të mbizotërojë e përhapet ndër ne.
Në krye të herës, le të përpiqemi të shqipërojmë, sa më thjesht, këtë kompozitë me fjalor të nakatosur anglosakson. Duke e çmetaforizuar, popullorçe belfiekulturë besoj se afërsisht është si të vësh, në aspektin jo kulinar, por social, prapanicën, shef të kuzhinës. Dhe jo vetëm në atë social, po edhe kulturor, artistik e veçanërisht në mjedisin shoqëror, shtetëror e politik, pikërisht aty ku ngjizet hierarkia e vlerave, është si të bësh primare atë pjesë të trupit (kupto: të shoqërisë) që deri para ca kohësh, në shekullin e shkuar, mbulohej e maskohej, pasi shërbente vetëm për nevoja vetjake, d.m.th. për jashtëqitje. Piktori spanjoll Francisko Goja, para gati katër shekujsh, me një grafikë rrëfen njerëzit që mbajnë në kurriz gomarët. Ndërsa në shekullin e kaluar, shkrimtari amerikan Xhorxh Orwell shkroi novelën e famshme “Ferma e derrave”, ku rrëfehet se si në një diku-vend, mes qytetarëve të barabartë që nuk merreshin dot vesh mes vedi, pushtetin e patën rrëmbyer, me kryengritje, derrat e fermës. Derrat, pra, formuan qeverinë dhe vendosën të kryejnë vetëqeverisjen, duke i trajtuar njerëzit si derra. Këto dy shembuj simbolikë janë parathënia e belfiekulturës së sotme.
Ndaj ia vlen, besoj, të hulumtohet kjo dukuri e re, qoftë edhe modestisht, pa thellime të posaçme filozofike sociologësh e analistësh të specializuar e të pajisur me mastera të përfituara jashtë Shqipërie, pasi në këtë shekull, në shoqërinë tonë, e ashtuquajtura belfiekulturë nuk është një risi që vjen me forma edukimi, me dhunë, me kryengritje, por me votim, me zgjedhje “të lira e demokratike”, me dëshirë, me harbim e pëlqim përherë e më masiv. Të ushqehesh e të dehesh me liri virtuale do të thotë të mos kesh liri reale. Nga të gjitha llojet e kulturave që ka shpikur njeriu për të administruar sa më mirë jetesën, vetëm belfiekultura e këtij shekulli krijon mundësi e të jep liri të pakufizuar që të mos e vrasësh mendjen me pyetjet: Ku po shkojmë kështu? A është i moralshëm veprimi që po bëj? Ose: Më mirë të jesh derr i kënaqur apo Sokrat i vuajtur? Belfiekultura të thotë: Hiç mos e vrit mendjen, o njeri! Në këtë jetë e në këtë botë është më mirë të jesh derr i ngopur, i kënaqur, sesa të vuash! Nëse një belfie ta mundëson këtë, ç’të keqe ka?
Sigurisht që, në këtë përsiatje nuk është fjala vetëm për ata/ato që fotografojnë me celular prapanicën e vet (kjo “veprimtari” u quajtka belfie) dhe me to bëhen sakaq të famshëm, VIP-a, të shquar, tejet të njohur e të rëndësishëm, pse jo edhe të kamur; sigurisht, pasi i kanë hapërdarë nëpër rrjetet sociale belfiet e tyre. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Fjala është për ata VIP-a që kanë pushtet: pushtet ekonomik, politik, mediatik dhe kulturor, e që na shfaqen si model suksesi. Sa syresh janë produkt i belfiekulturës? A po bëhen ata shumicë sunduese? A po e përcaktojnë ata fytyrën e ardhmërisë së shoqërisë falë prostitucionit politik dhe amoralitetit, duke i thënë derrit jo vetëm dajë, po shef, kryetar partie, kryeministër, president?… Fakti që në Kuvend ka deputetë që mezi lexojnë hartimet që u kanë shkruar të tjerët, provon se sa lart ka hipur belfiekultura në këto vite.
***
Natyrisht, nëse kjo dukuri do të ishte shfaqur vetëm në botën e videoklipeve e të kinse këngëve “moderne”, nuk do t’ia vlente t’i kushtonim kaq vëmendje. Por përhapja e belfiekulturës si në botën urbane dhe atë rurale, si në qendër e në periferi, si poshtë në familje e lart, në majë të shoqërisë e të politikëbërjes, tekefundit dëshmon për ecurinë e pandalshme të kësaj pandemie morale, e cila, me sa duket, po e kapërcen fuqinë ndikuese të edukatës, të moralit, të modës, apo edhe të snobizmit mbi provincialët e sotëm me apo pa diplomë. Tani turpi është turp. Nderi quhet atavizëm. Përkushtimi, idiotësi. Parimet dhe idealet vlerësohen si mangësi démodé e dalë bojë.
Belfiekultura tanimë po hap rrugën e karrierës edhe në administratën civile. Mjaft të trokasësh në paradhomat e presidentëve të firmave private si dhe të jo pak zyrtarëve të lartë, të komunikosh me sekretaret e këshilltarët përkatës, pra jo vetëm me “artistët” e botës së showbiz-it, që të kuptosh e të bindesh se sa e vështirë është të punësohesh po qe se je mbi 40 vjeç, e, më kryesorja, po qe se nuk ke një “belfie” ndjellëse, apo, si thuhet sot, një pamje seksi.
Belfiekultura e bën ligjin diktat sidomos mbi ata popuj e njerëz që janë të varfër, të pazhvilluar, të cekët, të kompleksuar. Asnjë revolucion kulturor, jo vetëm ai kinez, por edhe revolucioni feminist e seksual i viteve ’60, nuk i ka thyer e shkërbërë tabutë dhe kufijtë e turpit tradicional, por edhe të intimitetit e të raporteve ndërnjerëzore si dhe sa belfiekultura, avantazhi i së cilës është fuqia cunamore e tjetërsimit të një hiçi anonim në një vetje të shquar e të famshme jo falë dijeve e kontributeve, as talentit, djersës dhe përkushtimit, por falë shfaqjes së prapanicës në media, d.m.th. në formë; dhe mercenarizmit e prostitucionit moral në sjellje, d.m.th. në përmbajtje.
Në fund të fundit, dy vajzat adoleshente të Durrësit që vodhën e helmuan prindërit, e që më pas i vunë zjarrin shtëpisë dhe u arratisën “në drejtim të paditur”, janë më shumë pjella (apo viktima për disa…) të kësaj belfiekulture, sesa të prindërve, të familjes, të shkollës dhe klisheve shekullore të moralit.
Kjo ngjarje sa e habitshme, aq edhe e pashpjegueshme, duke mos qenë e vetmja, nuk vlen vetëm për ilustrim, por provon se belfiekultura ka marrë yrysh, ka përparësi, dhe se përditë e më tepër po ushtron trysni të papërballueshme në mënyrën e jetesës jo vetëm te rinia, por me sa duket edhe në shoqëri. Edhe rrahjet masive të shqiptarëve në një kamp azilantësh në Gjermani, janë shprehje e kësaj kulture. Lokalet luksoze në Bllok, por edhe në periferi, të rrëmbushur me të rinj të papunë, që pinë uiski dhe drogë, nuk provon vetëm që puna si veprimtari nuk na pëlqen, por se jemi konsumatorë të kënaqur të belfiekulturës, ripërtypës të bindur të manipulimit. Po të bëhet një sondazh në lokalet e Bllokut se kë njohin të rinjtë më shumë, Kadarenë, Kallashin e Kosovës apo Kim Kardashianin, me siguri shumica do të thonë për këto të fundit. Edhe grindjet e krerëve më të lartë se kujt i takon të pushojë në rezidencat qeveritare, janë po ashtu, shprehje e këtij vaniteti. Mania e ndërtimit të pedonaleve dhe zbukurimi i rrugës Rinas-Tiranë për të habitur delegacionet, për të “ndrequr imazhin”, teksa qytetet e tjera, jo vetëm në periferi, po edhe në qendër janë për faqe të zezë, janë shprehje e kësaj “kulture” të re. Është, si i cilësonte një filozof rus zonjat e salloneve, të cilat e flisnin frëngjishten përbukuri e visheshin si në Paris, por ama teshat e brendshme i kishin të pista, të palara…
Belfiekultura po u jep tonin jetesës së përditshme, modës, mediave, raporteve njerëzore, por edhe mënyrës së gjykimit të vlerave morale e materiale, përfshi edhe marrëdhënien e ngatërruar pushtet-qytetar, liri-anarki, martesë-familje, prind-fëmijë, vetiakësi-publicitet, tirani-të drejta etj., të cilat deri dje ishin tabu.
Le të rrimë shtrembër e të flasim drejt: nuk është fjala vetëm për lakuriqësinë e trupit, por edhe të mendjes. D.m.th. sot kanë më shumë vlerë dhe rëndësi lavatriçet mediatike që kryejnë trushpëlarje, se mendja që e ka shpikur e dora që vë në punë lavatriçen. Për këtë arsye, nuk gjen sot asnjë të ri, madje as fëmijë, edhe ata që i kanë prindërit të papunë, të mos jenë të pajisur me celularë të markës së fundit. Ka edhe nga ata që shëtisin nëpër Bllok me “BMW X5″… paçka se prindërit mbledhin kanoçe në kazanët e plehrave…
***
Sot është e vështirë të kuvendosh me dikë e mos të të ndërhyjë celulari të të prishë intimitetin. Shumica e njerëzve, sidomos të rinjtë, nuk shohin më horizontalisht, sy për sy, por vertikalisht, mbi celular, mbi internet. Fëmijët nuk luajnë më në rrugë me njëri-tjetrin. Prindërit nuk komunikojnë dot me fëmijët. Libri dhe shkolla po e humbin funksionin; po t’i vësh përballë një ipad-i, ngjajnë më keq se pleqtë që luajnë domino nëpër lulishte. Ky mjet i mrekullueshëm nuk vlen vetëm për komunikim, për t’u lidhur me miqtë, dijet, informacionin dhe punën, por edhe për t’u promovuar, d.m.th. për t’u shfaqur ai që nuk je, si një mall tregu, ku interesant, i bukur, tërheqës, enigmatik dhe i pëlqyer mund të bëhesh kollaj. falë aftësisë së vënies në përdorim të belfiekulturës. Ky është i vetmi mjet i shpikur nga njeriu që komandon, drejton e sundon tërësisht e plotërisht atë që e ka shpikur dhe sidomos atë që e ka blerë, nëpërmjet iluzionit të lirisë virtuale, të pakufizuar.
Tani jo vetëm seksi, po edhe politika bëhet me “Facebook” dhe “Instagram”, madje edhe qeverisja më së shumti kryhet nëpërmjet celularit. Përditë e më tepër ka pak e më pak marrëdhënie direkte, sy më sy. Njerëzit, në vend që të afrohen, po largohen, po robotizohen, po vetëklonohen, duke e humbur identitetin.
Mund të mos dish shkrim e këndim, të jesh injorant, të dish vetëm gjuhën e shenjave, si njerëzit primitivë të shpellave, dhe të shijosh e gëzosh luksin e belfiekulturës. Ky është avantazhi i kësaj mrekullie. Injorant dhe firmato; ka gjë më origjinale dhe interesante?! Sigurisht, për këtë nuk e ka fajin mjeti çudibërës që ka ndryshuar botën, por vetë njeriu i cili, për herë të parë në histori e ka lejuar veten të bëhet vegël qorre e mjetit, të ikë nga liritë reale dhe me pëlqimin e vet të shndërrohet në një skllav të lumtur edhe për faktin se ndihet tërësisht i manipuluar, një plastelinë në duart e një perëndie virtuale.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: