* Këlliçi: Puna e parë nis më 8 dhjetor

TIRANE – Belind Këlliçi do të jetë kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme. Forumi Rinor i Partisë Demokratike zgjodhi sonte kryetarin e ri Belind Këlliçi, pas konventës së fundit që u mbajt në Tiranë, me parimin një anëtar një votë.

Në këtë proces që mbahet për herë të parë në vendin tonë, u votua për drejtuesin e ri të Forumit në 20 konventa kombëtare në 20 qytete, ku të gjithë anëtarët e forumit patën mundësinë të ndjekin debatin mes kandidatëve dhe të vendosin me votën e tyre për kryetarin e FRPD.

10 mijë e 100 anëtarë të Forumit Rinor votuan në këto zgjedhje, që ishin një spektakël i demokracisë, i garës, i konkurencës së ideve dhe platformave. Belind Kelliçi është 28 vjeç, ka mbaruar studimet për shkenca menaxhimi dhe ekonomi në Universitetin e Maryland, SHBA dhe ka spikatur prej vitesh me aktivizimin e tij në politikë, në Partinë Demokratike. Belindi e ka nisur aktivizimin e tij politik në degën 10 në Tiranë. U zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, nga Kuvendi Kombëtar në vitin 2014. U votua nga Këshilli Kombëtar si anëtar kryesie i Partisë Demokratike në rolin e drejtuesit të Departamentit të të Përndjekurve dhe Pronarëve, post nga i cili u dorëhoq pasi shpalli kandidaturën për drejtues i Forumit.

Këlliçi mori 4706 vota, kundrejt Ervin Salianjit me 4132 vota dhe Oriela Nebiaj me 1105 vota. “Bashkë me fitoren, duhet një punë e madhe për të rinjtë e FRPD. Do të jap angazhimin tim maksimal për FRPD. Puna e parë e jona do të nisë më 8 dhjetor”, ka thënë Këlliçi menjëherë pas daljes së rezultatit në Tiranë që i dha fitoren.

BASHA URON KËLLIÇIN: RINIA PASURIA MË E ÇMUAR E PARTISË DEMOKRATIKE
Pas fitores së Këlliçit, Basha ka shprehur urimet në profilin e tij në Facebook. Ai shkruan se rinia është pasuria më e çmuar e PD-së.
“Urimet më të përzemërta Belind Këllicit, Kryetarit të ri të Forumit Rinor të sapozgjedhur me votën e drejtpërdrejtë të të rinjve dhe të rejave demokrate!!! Urime edhe për Ervin Salianjin dhe Oriela Nebiaj që shpalosën përmes kësaj gare vlerat e tyre politike dhe organizative. Shpirti i garës dhe bashkimi rreth vlerave të demokratëve konfirmuan këtë 25-vjetor të Lëvizjes Studentore se rinia është dhe do të mbetet pasuria më e çmuar e Partisë Demokratike të Shqipërisë! Krenar me FRPD!”

PJESË NGA FJALIMET E KANDIDATËVE
Belind Këlliçi: “Me mua në krye të forumit rinor do të kemi dy shtylla. E para është fjala bashkim, të gjithë jemi bashkë, punojmë për forumin rinor të PD-së. Kundërshtari ynë politik nuk është mes nesh, por përballë nesh është forumi rinor i PS-së dhe LRI-ja me ata e kemi betejën. Me mua në krye të forumit të jeni të bindur që do të kemi më shumë të rinj në qeverisjen vendore dhe pse jo edhe në parlament. Më 8 dhjetor në orën 11 të nisim rrugën e rikthimit të PD-së në pushtet, si partia e lirisë dhe demokracisë në këtë vend. Si partia që i ka bërë ëndrrat e studentëve të dhjetorit realitet. Bashkë më 8 dhjetor për të rikthyer PD-në në pushtet si një emergjencë kombëtare”.

Ervin Saljanji: “Më 8 dhjetor ta çojmë rininë përballë dyshes Rama-Meta, sepse ne e kemi betejën me ta. Me këtë garë u themi atyre se çfarë do të thotë garë e lirë dhe e ndershme, ndryshe nga ata. Do bëjmë të mundur që të rinjtë e PD-së të jenë më të përfaqësuar. FRPD do të ketë më shumë anëtarë. Nga nesër do të jemi në çdo qytet për t’ju thirrur në çdo lagje, në çdo shkollë, për të ftuar çdo të ri që ti bashkohet PD-së. me Mua ju do të keni zërin në forum. Asnjë i ri i PS apo LSI nuk vjen dot në forumin rinor të PD-së. Nuk vjen dhe nuk duhet të vijë sepse nuk kanë vlerat tona dhe nuk besojnë në vlerat dhe parimet mbi të cilat funksionon PD. Më datë 8 dhjetor këtë energji ta çojmë përballë Ramës dhe Metës”.

Orjela Nebijaj: “Unë jam Orjela dhe jam në këtë garë për idetë e mija. Ashtu siç do të qe secili prej jush, unë jam si ju ndaj të njëjtat ëndrra, të njëjtat dëshira dhe nevoja, prandaj sot ju qëndroj përballë me të mirat dhe të këqijat e mija. S’kam nevojë për trashëgimi familjare që të jem një nga ju. Unë besoj në një forum të bazuar në 3 shtylla, gjithpërfshirje, demokracinë e brendshme dhe transparencën. Unë besoj në një forum me plot të rinj, ku mësohet puna dhe kontributi. Nuk dua një forum ku mësohen pazaret dhe kërkohen përfitime, ku mësohen hile dhe kulisa. Dua një forum të guximshëm, ku ne ndajmë bashkë ëndrra, ide dhe luftojmë për to, për një forum me plot energji dhe vizion evropian. Në 8 dhjetor ne duhet të sjellim lirinë dhe demokracinë mes nesh, të gjithë në shesh”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: