Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk pret ndryshime pozitive nga zgjedhjet parlamentare dhe presideciale serbe, që u mbajtën më 3 prill.

Gjatë një konference për media në Prishtinë më 4 prill, Osmani tha se Serbia udhëhiqet nga një mentalitet i viteve ’90.

“Është për fat të keq edhe të Serbisë dhe të rajonit që nuk ka një ndryshim pozitiv, në kontekst të mentalitetit politik që e udhëheq Serbinë. Pra, edhe nëse flasim për të djathtë, të majtën apo qendrën, për fat të keq vazhdon një mentalitet i viteve ’90 ku Serbia vazhdon t’i shohë shtetet e tjera në rajon, në veçanti Republikën e Kosovës, Malin e Zi, por edhe Bosnjë e Hercegovinën si shtete të përkohshme”, tha Osmani.

Në këto zgjedhje, sipas rezultateve paraprake, presidenti aktual, Aleksandar Vuçiç, ka fituar edhe një mandat, duke fituar afër 60 për qind, ndërkaq, partia e tij, Partia Përparimtare Serbe, po ashtu ka dalë e para me 43 për qind të votave.

Presidentja Osmani e akuzoi Serbinë se ka parandaluar që qytetarët serbë të Kosovës – me shtetësi të dyfishtë – të mund të votonin nga Kosova për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe, që u mbajtën një ditë më parë.

Sipas saj, mosmbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë ka ndodhur pasi Beogradi ka refuzuar tri opsionet e ofruara.

“Në fakt ka qenë Serbia ajo që ka parandaluar të drejtën e serbëve për të votuar. Institucionet e Kosovës u kanë dhënë të drejtë qytetarëve serbë që të votojnë qoftë nëpërmjet zyrës ndërlidhëse, postës apo edhe duke nënshkruar një marrëveshje bilaterale e cila do të respektonte në tërësi praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim. Pra kanë qenë tri opsione, asnjëra nga të cilat nuk është pranuar nga ana e Serbisë”, tha presidentja Osmani.

Osmani shtoi se me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Beogradi ka synuar që të shkelë sovranitetin e Kosovës.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjimin e madh” që Kosova nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Serbët e Kosovës të dielën votuan në komunat serbe, që gjenden pranë kufirit me Kosovën, pasi institucionet e Kosovës nuk lejuan që zgjedhjet serbe të mbaheshin brenda territorit të shtetit.

Presidentja Osmani përsëriti akuzën se në zgjedhjet serbe të mbajtura më 3 prill, afër 6,000 shqiptarë nga komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, u është mohuar e drejta e votës, për shkak të pasivizimit të adresave të tyre të banimit.

Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Osmani tha se nuk pret ndonjë ndryshim në sjelljen e Serbisë, pasi siç tha ajo, zyrtarët serbë, ulen në tavolinën e dialogut “për të krijuar obstruksione”.

Ajo tha se Kosova dëshiron që procesi i dialogut, që ka nisur më 2011, të përmbyllet me një marrëveshje, që do të ishte e përqendruar në njohje reciproke./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb