TIRANË- Në komisionin e Shëndetësisë është diskutuar sot për testimin e mjekëve, një reformë kjo që pritet të ndërmerret në muajt në vijim. Vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është përballur me komentet dhe pyetjet e mjekëve, por edhe deputetëve të opozitës.

Në cilësinë e kryetares së komisionit, Albana Vokshi tha se mjekët e kanë cilësuar procesin korruptim dhe antikushtetues.

Ndërsa përsa i përket testimit, Beqaj tha se ai do jetë një fotografim real i njohurive të mjekëve si dhe do shërbejë për kategorizimin e infermierëve.

“Testimi, nevojë për të përmirësuar nivelin e burimeve njerëzore, kemi nevojë edhe për një vlerësimin real, fotografim real të njohurive të mjekëve. Infermierët që nuk janë pjesë e edukimit në vazhdim duam ti kategorizojmë. Duam ta përdorim testimin edhe në funksion të procesit të kategorizimit”.

Gjatë përgjigjeve të tij, ministri tha se ky testim është ligjor dhe se pas tij asnjë mjek nuk rrezikon vendin e punës.

“Pas testimit nuk do ndodhë asgjë, nuk bëhet për ti thënë mjekëve e infermierëve je apo nuk je, por për të matur çfarë boshllëku konstatohet në njohuritë personale, me qëllim që ti trajnojmë aty ku kanë boshllëqe”.

Beqaj sqaroi më tej se, “Për infermierët do jetë një pjesë teorike dhe pastaj pjesa praktike. Mjekët do iu bëhet vlerësim njohurish në bazë të specialitetit”.

Ndërsa një mjek deklaroi gjatë dëgjesës se kjo ishte hera e parë që ai ndjehej kaq shumë i fyer. “Është hera e parë që fyem kaq shumë, kjo është një iniciativë antiligjore dhe diskriminuese”.

Sipas deputetes së PD-së, Albina Deda kjo është një iniciative personale e ministrit, që ka për qëllim ta krijojë vende pune në sistemin shëndetësor.

VOKSHI-BEQAJ REPLIKA

Vokshi: Kryeministri flet për standarde evropiane, teksa inauguron pajisjet e vëna nga ne, tek Neurokirurgjia. E përgëzoj për standardet evropiane kur nënën e çoi në spital privat.

Beqaj: I ke informacionet gabim, është tek Neurologjia. Investimi ka filluar në 2012, por gjetëm shumë punë të nisura e të financuara me zero lekë. Paratë janë të buxhetit, në ia dolëm të bëjmë investim cilësor, që duhet të shoqërohet edhe me furnizimin e spitaleve me barna.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb