KOSOVË

Ikballe Berisha Huduti, kosovarja e cila me anë të një statusi në FB bëri thirrje për hakmarrje pas vrasjes së gjeneralit Iranian Qasem Soleimani është lënë nga Gjykata e Prishtinës në masën e arresti me burg 30- ditor.

Mediat kosovare raportojnë se Huduti akuzohet për ‘’shtytje në kryerjen e veprave terroriste’’. Ajo u arrestua dy ditë më parë ndërsa e fshiu nga profile i saj i FB statusin duke kërcënuar mediat që e kishin publikuar statusin se do i padiste.

“Duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, andaj hakmarrja është e obligueshme, por nuk ka kufi”, ka shkruar Berisha-Huduti.

Por ndërkohë Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës është distancuar nga rasti i përfaqësueses shiite.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se znj. Igballe Berisha- Huduti, asnjëherë nuk ka qenë punëtore e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe rrjedhimisht deklaratat, qëndrimet, opinionet dhe predikimet e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe as me interpretimin dhe mësimet tradicionalet të fesë islame të aplikuara ndër ne me shekuj. Për më tepër, siç dihet tashmë, personi në fjalë ka predikuar doktrinën shiite e panjohur ndër ne më parë”, njofton Bashkësia Islame e Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb