TIRANË- Në prag të zgjedhjeve lokale, ish-­kryeministri Sali Berisha akuzon kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit se “po përdorin të gjithë institucionet për të prishur zgjedhjet”. Në një postim në Facebook, Berisha tregon skemën që sipas tij po përdoret për të manipuluar zgjedhjet vendore. Sipas tij, “Rama-Meta, në panikun e humbjes dhe ndëshkimit popullor po ushtrojnë terror të paparë në administratën shtetërore për të angazhuar atë detyrimisht në manipulimin e zgjedhjeve”.

Ja postimi i plotë Berishës:

Të dashur miq, Rama–Meta, në panikun e humbjes dhe ndëshkimit popullor për zgjedhjet e 21 qershorit, po ushtrojnë terror të paparë në administratën shtetërore për të angazhuar atë detyrimisht në manipulimin e zgjedhjeve. Për këtë qëllim Rama-Meta kanë vendosur që:­ ti japin çdo drejtori dhe zyrtari letër me numrin e votave që duhet të sjellin nga çdo kuti votimi që kanë në ngarkim, për të ruajtur vendin e punës. Punonjës nga ministritë njoftojnë se nga drejtuesit iu kërkohen lista me emrat dhe nr. e letërnjoftimeve të familjarëve të tyre dhe garantimin se ata do të votojnë për qeverinë.­

-OSSH ka shpallur kërkesat për punësim për 1200 vende pune që të gjithë duhet të transferojnë gjendjen civile në Durrës

-në shkolla, mësuesve dhe nxënësve u kërkohen me porosi të ministres numri i letërnjoftimeve të tyre dhe të prindërve të tyre. ­

-në Berat dhe një seri qytetesh të vendit punonjësve të thjeshtë të administratës u është shpërndarë një formular, të cilin çdo punonjës është i detyruar ta kthejë së bashku me emrat e 25 familjarëve dhe të afërmve që ai apo ajo kanë bindur të votojë për “aleancën e qelbësirave”.

Këto janë vetëm disa të dhëna nga burime të shumta. Ju bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë me guxim çdo përpjekje apo kërkesë që iu bëhet atyre për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve!

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb