Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat se opozita kërkon dorëheqjen urgjente të kryeministrit Edi Rama.
Seancën e nesërme, paralajmëroi Berisha, PD do të kërkojë largimin e Ramës, pas skandalit me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni e cila favorizonte Ergys Agasin gjatë kohës që ishte në kërkim nga SPAK. Prokuroria e Posaçme vendosi për Hysenin arrest shtëpie dhe pezullim nga detyra, ndërsa kryeministri Edi Rama më pas e shkarkoi.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi gjithashtu, duke iu referuar komunikimeve të Vlora Hysenit me Ergys Agasin, se ky i fundit bënte planet se kush do të ishte kryetar Parlamenti.
Sali Berisha: Ndaj dhe kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit si akt i vetëm dhe i domosdoshëm. Parlamenti, këtë çështje, do ta ketë çështjen më kryesore. A e lexuat ju aty planin për të hequr Nikon edhe për të vënë Taulantin? Kur ia thashë atij, ai është pallavesh, kur ia thashë atij që po të heqin, ai tha e ke nga inati, do më fusësh sherre mua këtu. A e patë? I bënte Gysi planet se kush duhet të jetë kryetar parlamenti, duhet të jetë Tao. Mbase më shkau goja pak, po edhe meriton se ai Niko është problematik në vetvete, po prapë donin ta hiqnin. Pra, do të jetë çështja më kryesore. Natyrisht, të jemi realistë, këtu nuk ka më legjitimitet dhe ne duhet të ndërtojmë të gjithë punën tonë për një Shqipëri, për një qeveri legjitime, legale.
Duhet të vazhdojmë betejën tonë kundër narkoshtetit. Por një gjë duhet ta kemi shumë të qartë, me partnerët tanë ne me durim duhet të paraqesim këtë dramë të madhe që zhvillohet në Shqipëri.
Kur lexoja që Guinea Bisau ishte i vetmi shtet dhe i pari shtet narkoshtet në Afrikë, imagjinoni ju sa e vështirë e kanë në Europë të pranojnë se ka narkoshtet. Por ky është realiteti.
Ky është realiteti, prandaj ne partnerëve tanë europianë duhet të paraqesim të gjithë dokumentacionin, analizën, faktet se faktor shkatërrimtar në këtë vend është narkoshteti dhe Edi Rama.
Pse kjo? Natyrisht narkoshteti luftohet me të gjitha mënyrat, por edhe ndëshkimi ndërkombëtar është i domosdoshëm. Është i domosdoshëm për shkak të rrezikut që paraqet për vendin e vet dhe çdo vend tjetër.
Është i domosdoshëm edhe për solidarizim ndaj qytetarëve të atij vendi që përjeton terrorin e tij.
Zonja dhe zotërinj deputetë, fjalën duhet ta marrin qytetarët shqiptarë. Fjalën duhet ta marrin zgjedhësit tanë.
Ndaj dhe është e domosdoshme që të kemi përparësi absolute takimet me ta, sqarimet me ta dhe angazhimi i tyre i përbashkët me ne.
Edi Rama nuk ikën po nuk e hoqëm. Ne duhet të shpëtojmë vendin. Këto janë kulme, faktikisht janë kulme të shembullit të një shteti, i cili po përzë dhe zë shqiptarët brenda.
Ndaj dhe Partia Demokratike, Grupi Parlamentar, Kryesia e Partisë Demokratike, Forumet e saj duhet të rishqyrtojnë qëndrimet në këtë situatë kritike, dramatike të krijuar.
