Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta lidhur me drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ish-drejtueses Vlora Hyseni. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi takoheshin në lokalin e Jurgen Kolës, drejtori operativ i Shërbimit Informativ, në Bërzhitë.

Sipas kreut të PD, Jurgen Kola është pronari i pasurive të mëdha toke të blera në Arbanë.

Berisha tha se sipas informacioneve, Jurgen Kola ka fshirë kamerat e lokalit të tij për të zhdukur gjurmët e talimeve të Vlora Hysenit me Ergys Agasit.

Sali Berisha: Dhe Rama, në qoftë se e lexuat, dy-tre herë thoshte vlerësimet e partnerëve. Unë i them turp të kesh. Dhe i them Edi Ramës, këtu para jush dhe shqiptarëve, se në qoftë se këta janë pisa, ti je kryepis.
Në qoftë se këta janë llum, ti je kryellum. Në qoftë se këta janë mafie, ti je padrino. Që bën sikur kjo nuk ishte gjë e madhe. Ajo atje, si me thënë, ajo atje kishte të gjithë sekretet e shtetit dhe të gjithë sekretet e NATO-s që vinin në këtë shtet. Ajo atje, që sipas tij, varej nga Vali Bizhga, që Vali Bizhga nuk guxon në përputhje me ligjin të hapë asnjë zarf të shërbimeve. Jo. Jo! Nuk ka punë shefi i kabinetit, ato janë të caktuara me ligj.

Pra, ky është Rama, ky është shteti që ndërtoi, narkoshteti i llumit, i Agasit, i Vlorës, i Lubisë, i Prodës, etj me radhë. Ka të tjerë si këta edhe më keq, por kjo ishte në pozicionin më të rëndësishëm. Pastaj thonë Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Po çfarë Këshilli? Po Këshilli i Sigurisë Kombëtare përbëhet nga një delinkuent si Haram Begaj, përbëhet nga Ermal Raketa, kontrabandisti, përbëhet nga Roni Yeffet që i lëviz këta me radhë, nga Lubia, nga Ergys Agasi dhe mjedisi rozë i tij. Ky është Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Dhe padrinoja në krye të tyre.

Kurrë një shtet, përveç Venezuelës që i është gjetur shefi i shërbimit që merrej me trafiqe, El Polo, dhe Guinesë Bisau, nuk ka ndodhur që të dalë shefi i shërbimit. Dhe të gjitha këto të lidhura me Padrinon. Unë duhet të falënderoj të gjithë ata punonjës të shërbimit që me guxim, fill pas emërimit të saj dhe në vazhdim, kanë thënë të vërtetën rreth këtij personi dhe janë bërë publike të gjitha. Por natyrisht ato ndryheshin në banesën e shurdhërisë dhe harresës.

Informacione të reja, jo nga ato që i nxjerr Edi Rama me qëllime të veta, por kjo ka pasur bashkëpunëtor të ngushtë Jurgen Kolën, drejtorin operativ të SHISH. Jurgen Kola ka lokal në Bërzhitë dhe lokali i tij në Bërzhitë ka qenë një nga lokalet ku kjo bënte takimet me ‘bashkëpunëtorin’ e saj, Ergys Agasi. Jurgen Kola është pronari i pasurive të mëdha tokë të blerë në Arbanë.

Sipas informacioneve, Jurgen Kola ka fshirë kamerat e lokalit të tij për të zhdukur gjurmët e talimeve të Vlora Hysenit me Ergys Agasit. Unë u bëj thirrje hetuesve dhe prokurorëve të çështjes të kontrollojnë kamerat e këtij dhe të hetojnë bashkëpunimin e tij. Ky është një drejtor shumë i rëndësishëm aty. Se harrova t’u them se nuk ka nëndrejtor në SHISH, ndërkohë që Kushtetuta përcakton nëndrejtorin dhe me të njëjtën emërtesë kryeministri dhe presidenti. SHISH nuk ka nëndrejtor, tani mund të jetë ky më i rëndësishmi. E drejton Jurgen Kola, një ushtar i Vlora Hysenit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb