Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 përballë gazetares Ola Bruko, ka zbardhur prapaskenat e vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës krah liderit të opozitës, Sali Berisha.
Lidhur me statusin e ftesës dhe vendimin e administratës amerikane për heqjen e sanksioneve ndaj Berishës, Mediu deklaroi: “PD dhe Partia Republikane shqiptare janë anëtare të IDU ashtu si Partia Republikane amerikane. Kjo e fundit na ka ftuar si përfaqësues të IDU për të marrë pjesë në konventën e Partisë Republikane në SHBA. Zoti Berisha ka marrë një vizë zyrtare. Nuk shkon dot në SHBA nëse je non grata. Në vizën e tij shkruhet heqje e sanksioneve me vendim të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe viza është 5-vjeçare.”
Duke detajuar bisedimet me zyrtarët e lartë amerikanë për krimin e organizuar, kartelt e drogës dhe tjetërsimin e votës në Shqipëri, Mediu u shpreh: “Në Dallas nuk ishin të jashtëzakonshme vetëm momentet e konventës, por kemi zhvilluar takime me disa kongresmenë amerikanë që nuk lidheshin me konventën dhe kemi pasur diskutime për luftën ndaj trafikut të drogës dhe karteleve të drogës dhe ndihma e SHBA për të luftuar krimin e organizuar dhe mundësia për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Pati zhvillime dhe kongresmeni Joe Wilson bëri një pyetje për qeverinë shqiptare dhe manipulimin e zgjedhjeve. Kemi takuar senatorë e kongresmenë, kemi takuar Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA, Todd Blanche, jashtë konventës në një takim ku kemi ngritur po të njëjtat probleme.”
