Gazetari dhe analisti Ermal Peçi, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, duke u ndalur te mënyra e funksionimit të partive politike, situata e qeverisë dhe te opozitë.
Peçi deklaroi se kryeministri Rama nuk ka zhvilluar asnjëherë garë reale brenda Partia Socialiste, duke theksuar se statuti i partisë duhet respektuar edhe pas fitoreve elektorale.
“Rama nuk ka zhvilluar asnjë garë në PS. Ai është kryeministër dhe nuk mund të personifikojë shtetin me partinë. Statuti është kushtetuta e partisë dhe nëse ai thotë se zgjedhjet duhet të bëhen, ato duhet të zhvillohen edhe kur fitohen zgjedhjet parlamentare”, u shpreh analisti.
Sipas tij, demokracia funksionon përmes mekanizmave që kontrollojnë dhe balancojnë njëri-tjetrin, ndërsa shtoi se Rama ka mësuar dhe përdorur më mirë se kushdo modelin politik të kundërshtarëve të tij.
Ai u shpreh kritik edhe ndaj mënyrës se si opozita po sillet përballë qeverisë, duke thënë se Sali Berisha nuk po sjell një model ndryshe politik.
“Sot, përveç një narrative politike, Berisha nuk është aspak kundërshtar i Ramës. Nuk mjafton vetëm sharja në ekran, por duhet parë çfarë sjell ndryshimin. Berisha nuk po e hap PD-në dhe nuk ka një qasje ndryshe ndaj institucioneve të drejtësisë apo partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai.
Peçi komentoi edhe debatet për heqjen e statusit “non grata” të Berishës nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, duke i cilësuar si spekulime pa bazë reale.
“Këto janë muhabete kafenesh që përdoren për të gënjyer demokratët. Nuk kemi parë ndonjë model ku hiqet ‘non grata’. As SHBA dhe as Britania nuk kanë dhënë deri më sot asnjë sinjal për ndryshim qëndrimi”, deklaroi ai.
Analisti solli në vëmendje edhe rastin e Milorad Dodik, duke theksuar se në atë rast u hoqën vetëm disa sanksione financiare dhe jo masa të ngjashme me statusin “non grata”.
