TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një pjesë të fjalimit të tij të disa viteve më parë, bërë gjatë një aktiviteti për 25-vjetorin e Partisë Demokratike.
Bëhet fjalë për një betim, të cilin ai e quan solemn bërë para demokratëve të Shqipërisë.

“Ju përshëndes miq me betimin tim solemn para demokrateve të Shqipërisë”, shkruan Berisha, i cili më pas thotë se do të qëndrojë deri në fund edhe nëse do të jetë i vetëm.

“Sikur 1000 të mbeten, do të mbetem njëri prej jush. Sikur 100 të mbeten, do mbetem njëri prej jush. Sikur vetëm njëri të mbeti, do të jem njëri prej jush. Rroftë PD, Zoti i bekoftë demokratët!”, thotë Berisha në video.

Kujtojmë se ditën e shtunë ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim pati një takim me kreun e PD-së Lulzim Basha, pas të cilit kërkoi që Berisha të mos jetë më në Kuvend. Ky qëndrim vjen pas shpalljes ‘non grata’ të ish-kryeministrit nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Ajo tha se “do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”.
Nga ana tjetër Berisha reagoi duke thënë se do ulet krenarisht në parlament dhe se kishte biseduar pas takimit të ambasadores amerikane me kreun e PD-së Lulzim Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb