Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në Facebook, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të diskreditojë protestën qytetare dhe simbolikën e saj. Berisha akuzoi gjithashtu se Rama ka shkuar disa herë në Iran dhe është takuar me ish-presidentin Ahmedinexhad. “Shpall non-grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmedinaxhadin. Po më lejoni t’u tregoj një gjë o qytetarë. Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin”, u shpreh Berisha.
Berisha deklaroi se Rama “i urren të rinjtë” dhe se ka shpallur “algoritmin si bajlozin e zi”, ndërsa, sipas tij, merret me sulme ndaj blogerëve, influencerëve dhe pjesëmarrësve në protestë, në vend që të reflektojë mbi kërkesat e qytetarëve. Ai e akuzoi kryeministrin se ka sulmuar figura të protestës dhe madje ka tentuar të përbaltë ish-luftëtarin e UÇK-së, Tahir Sinani, vetëm sepse në protestë është valëvitur edhe flamuri i UÇK-së. Më tej, kreu i PD-së ironizoi përpjekjen e Ramës për të përdorur simbolin e flamingos, që është bërë identifikues i protestës.
Në përfundim, ai i bëri thirrje kryeministrit të japë dorëheqjen.
“Sulmoi bloger dhe infuencerë, shpalli bajloz të zi algoritmin, merret me njollat e errëta, sulmon personazhe të protestë, apo shpall non grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmadinejad. Ndërkohë kur unë isha kryeministër, ai shkoi dhe udhëtoi disa herë drejt Iranit ku bëri foto me Ahmadinejad. Ai arriti që të përbalte një nga heronjtë e UÇK-së, Tahir Sinanin. Donte të përbalte UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë del dhe flamuri i UÇK-së. Njeriu që nga një anë përpiqet që të luftojë protestën, duke i vendosur në bluzën e tij flamengon apo ta vendosë në FB, por ai s’ka të drejtë morale. I them se; mund të stamposh në bluzën tënde Belindën, Agaçin, drogën e kokainën, kurrë flamengon. Herë tjetër i vendos ata në foton kryesore të FB duke besuar se kështu po bëhet më miqësor me ta. Rama, për ta mbyllur, jep dorëheqjen, pasi je armiku i të rinjve shqiptar. Je arrogant, cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria.”, tha ai.
E plotë
Rama u takua me Ahmedinaxhadin disa herë në Iran! Të japë dorëheqjen sepse durimi po soset
Shpall non-grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmedinaxhadin. Po më lejoni t’u tregoj një gjë o qytetarë. Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin.
Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë.
Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmedinaxhadi.
Pra, çfarë do të thotë kjo? Shpall një zonjë non-grata sepse siç e shpjegoi ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare.
Rasti tjetër, është apo nuk ka qenë luftëtar i UÇK. Është i tillë apo i atillë.
Arritën në shkallë ekstreme të përbaltin një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinanin.
Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj.
Pra, njeriu që nga një anë përpiqet t’i luftojë me mjetet e tjera duke stampuar në bluzën e vet flamengot apo duke i vendosur në Facebook-un e tij, dhe i them nuk ke të drejtë morale ta bësh këtë, tregon amoralitet me këtë.
Ti mund të stamposh në bluzën tënde Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën. Mund të stamposësh drogën, kokainën, por kurrë flamengot.
Herë tjetër i vendos ata në foton kryesore të FB, duke besuar se kështu po bëhet më miqësor me ta.
Edi Rama, për ta mbyllur, thirrja ime është jep dorëheqjen menjëherë se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë.
Je arrogant, je cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria. Ndaj dhe jep menjëherë dorëheqjen sepse po soset durimi i tyre.
