ELBASAN

Ish-kryeministri Sali Berisha i cili kërkon të rizgjidhet kryetar i PD-së në hapjen e fushatës sot në Elbasan akuzoi qeverinë për qëndrime të papërgjegjshme në raport me kombin dhe Kosovën.

Ai tha se sot sherri nuk është midis Beogradit dhe Tiranës, por midis Tiranës dhe Prishtinës dhe se ne duhet të bëjmë gjithçka për të qartësuar shqiptarët që duhet ta duam më shumë kombin dhe vendin tonë.

“Kur Kosova ishte e pushtuar dhe ne të lirë, të ndjerit President Ibrahim Rugova i thosha, Ibrahim e di si ngjasim ne, si ai njeriu që ka gjysmën e trupit të paralizuar. Dhe këtë ia përsërisja jo rrallë sepse faktikisht Kosova ishte pushtuar. Liria kombëtare është e pandashme. Kosova e lirë, po shikoni si jemi sot. Sherrin kjo qeveri nuk e ka me Beogradin, sherrin e ka me Prishtinën. A ka shembull më ilustrues se çfarë ndodh kur albanofobia e të tjerëve bashkohet me qëndrimet e papërgjegjshme. Problemi është se bashkohet me njerëz që edhe mund të kenë marrëveshje të fshehtë dhe mund të mos kenë, por kanë interesa meskine, nuk kanë interesa kombëtare, nuk kanë dashur për vendin dhe kombin e tyre. Çfarë na bëjnë, na pjesëtojnë për 2, në vend se të shumëzohemi me dy. Se dy vende shqiptare të lira në tërësi përbënin një fuqi 2 herë më të madhe. Sot sherri nuk është midis Beogradit dhe Tiranës, por midis Tiranës dhe Prishtinës. Shembulli më i papranueshëm se si shkelmohet interesi kombëtar dhe cilat janë pasojat. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të qartësuar shqiptarët që duhet ta duam më shumë kombin dhe vendin tonë”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: