Festivali i filmit në Berlin fillon sonte me premierën botërore të një drame irlandeze me aktorin Cillian Murphy, e vendosur në një sfond të ndezur lufte në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.

“Unë mendoj se ne jemi këtu për të parë se si artistët reagojnë ndaj botës në të cilën jetojmë tani. Jam kurioz të shoh se çfarë bëjnë ata me të”, tha presidentja e jurisë së Berlinale-s, aktorja meksikano-keniane Lupita Nyong’o, gjatë një konference për shtyp në Berlin.

Lupita Nyong’o është personaliteti i parë me ngjyrë në historinë e Berlinales që kryeson jurinë, përgjegjëse për të vendosur midis 20 filmave në konkurrencë për ”Ariu i Artë”, çmimi më i lartë i festivalit.

Veprimtaria e Berlinit, e cila zhvillohet nga 15 deri më 25 shkurt, nis tre festivalet kryesore evropiane, përpara Kanës në maj dhe Venecias në shtator.

Për edicionin e tij të 74-të, ai paraqet një program eklektik me regjisorë dhe aktorë nga e gjithë bota, yje, dokumentarë politikë dhe kinema arti.

“Small things like these” (”Gjëra të vogla si këto”), me protagonist Cillian Murphy, një nga favoritët në garën për Oscar këtë vit, është vepra e parë e paraqitur mes 20 filmave në konkurrim.

Përshtatur nga bestselleri nga autorja irlandeze Claire Keegan, është frymëzuar nga fakte reale për nënat e pamartuara të shfrytëzuara nga motrat katolike.

Drejtuar nga regjisori belg Tim Mielants, Cillian Murphy luan një baba të përkushtuar që zbulon sekretin e lavanderisë ”Magdalene”, pasi midis viteve 1920 dhe 1990, në manastiret, murgeshat i mbanin gratë e reja në skllavëri pasi u dhanë për birësim foshnjat e tyre, të lindura jashtë martese.

“Ne jemi të bindur se kjo histori që ndërthur mirësinë ndaj më të brishtëve dhe dëshirën për të dalë kundër padrejtësisë do të rezonojë me të gjithë”, vlerësoi së fundmi italiani Carlo Chatrian, i cili bashkëdrejton Berlinalen për herë të fundit me holandezen Mariette Rissenbeek.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: