Rrënojat e kishës shekullore të Shën Gjonit në fshatin Rrashkullaj të Gruemirës në Malësinë e Madhe u mbushën me besimtarë katolik, duke shënjuar kremtimin e 13-të martave të Shna Ndout, që i paraprijnë ardhjes së festës së Pashkës. Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra kujtoi se si edhe gjatë komunizmit, në fshehtësi, besimtarët janë lutur në këtë vend të shenjtë 900-vjeçar.

Bota ndodhet në një moment të vështirë, thotë arqipeshkëvi Massafra, për shkak të luftrave në mes Izraelit e Palestinës dhe Rusisë e Ukrainës, por është e mundur që e mira të fitojë. Arqipeshkëvi përmendi edhe sesi një familje myslimane ruajti kishën e Shën Gjonit për vite me radhë, ndërsa uroi muajin e shenjtë të Ramazanit.

Mes mbeturinave, kjo është rruga e amortizuar që duhet të bëjnë besimtarët e krishterë sa herë shkojnë për t’u lutur tek kisha e Shën Gjonit. Arqipeshkëvi Massafra ka një thirrje për bashkinë e Malësisë së Madhe, por edhe për Ministrinë e Kulturës, që këto zona me kisha të hershme të mos lihen në harresë si dhe të bëhen gërmime arkeologjike.

Ky manastir bendiktin që daton 9 shekuj më parë është një dëshmi e gjallë e identitetit tonë kombëtar. Për këtë objekt ka patur probleme të shumta, pasi fqinjët malazez kanë pretenduar se është i tyri, por janë familjet myslimane të zones, që nuk kanë lejuar asnjë lloj tjetërsimi, qoftë edhe historik.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb