NGA MARIGLEN MËRTIRI*

TIRANË- Dyrrotaku gjithnjë e më shumë po gjen terren në Tiranë. Në mosha të ndryshme, pa dallime gjinore, biçikleta mbetet alternativa më e mirë për lëvizur apo mbaruar punë. Me këtë mjet që kurrë nuk del nga moda, ka të moshuar që janë të dashuruar por edhe të rinjtë që kanë filluar të mos ndahen më prej saj. Biçikletën e shohin si mjet intim që kurrë nuk do ta ndërronin me automjetet luksoze dhe kjo për shumë arsye.

“Kam 20 vjet, kjo është shpirti im, unë nuk e dua makinën, kjo më mban gjallë fizikisht, mbaroj punë më shpejt se makina. Zakonisht është një element më i mirë për të qarkulluar sa më shpejt, vetjak, personal. Si fiksim, kam kaq vjet që kalama, që 15 vjeç, e mbaj trupin në formë. Që i vogël 10 vjeç, dal me të. Kam që 17 vjeç, normale që është praktike”- thonë qytetarët

Rrugëve të Tiranës çiklistët aktivë janë të shumë, thonë se biçikletat i kanë ndërruar shpesh, dhe kjo jo vetëm për shkakun e tyre por edhe të hajdutëve që këtë mjet po e lakmojnë gjithnjë e më shumë.

“Jo kam ndërruar shumë biçikleta. Kam dy biçikleta në shtëpi. Kam ndërruar shumë biçikleta hungareze, ruse etj. Kam pasur edhe tjera. Nja dy here ma kanë vjedhur, kjo është biçikleta e pestë. Përpara nuk vidhnin biçikleta”

Kërkojnë më shumë korsi të dedikuara pasi sigurinë në pedalimin e dyrrotakut e kanë tek vetja po nuk dinë çfarë mund të ndodh me bashkëpërdoruesit e tjerë të rrugës që shpesh zënë ato pak korsi të dedikuara që janë. Paradoksi qëndron se rritja e përdorimit të këtij mjeti është në përpjesëtim të zhdrejtë me korsitë e dedikuara dhe të sigurta të cilat mungojnë prej vitesh.

“Ndihem i sigurt vetë nga ana ime se nga të tjerët nuk di çfarë të presësh. Ka pasiguri se ka parkime. Ka njerëz që nuk dinë çfarë janë sinjalet. Jo mjaftueshëm i sigurt. I sigurt se jam mësuar, po të ecësh në korsinë tënde ecën për bukuri, në rrugët dytësore duhet rregulluar. Duhet bërë më shumë për biçikletat që të pakësohen makinat se ajri nuk është i mirë.”

Ambientalistët e shohin biçikletën si zgjidhjen më të mirë për të ulur ndotjen dhe shtuar frymëmarrjen në Tiranën e mbingarkuar. Ndërsa përditë e më shumë të rinjtë I gjejmë të bashkuar në rrjete sociale rreth pasionit për këtë mjet që simbolizon lirinë, jo vetëm brenda kryeqytetit por edhe jashtë tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: