TIRANE-Prokuroria ka rrëzuar sot dy nga tre akuzat për deputetin Tom Doshi, duke zyrtarizuar një akuzë për deputetin Tom Doshi, duke lënë në fuqi vetëm akuzën për “kallëzim të rremë”.
Në një dalje publike para mediave, avokati i tij mbrojtës, Ferit Muçaj bëri me dije se as kjo akuzë nuk qëndron, ndërsa theksoi se do apeloi në Gjykatën e Lartë për pafajësi të Doshit.
“Prokuroria komunikoi vetëm akuzën e kallëzimit të rremë dhe kjo akuzë siç kemi thënë edhe më parë nuk qëndron. Por nga tre akuza, sot ka komunikuar vetëm akuzën e “Kallëzimin e rremë”.”, -tha Muçaj.
Nga ana tjetër, Muçaj theksoi se sot organi i akuzës nuk komunikoi mbylljen e hetimeve. Sot nuk u deklarua mbyllja e hetimeve. “Ne do kërkojmë marrjen e provave të tjera dhe kjo akuzë nuk qëndron, ndaj do provojmë pafajësinë tonë. Ne do kërkojmë prokurorisë që të marrë prova të tjera.”, -shtoi më tej Muçaj. Sipas tij, kjo akuzë është në kuadër të ‘Kallëzimi të rremë’ për videon e publikuar në media, ku ishte Durim Bami.
Ndërkohë, mbrojta theksoi se dosja e deputeti Doshi nuk ka shkuar ende në Gjykatën e Lartë dhe organi i prokurorisë nuk ka vendosur ende. “Doshi ka thënë të vërtetën në videon. Qëllimi i bërjes së videos është për të siguruar vetë atë dhe dëshminë. Sepse ndaj dëshmitarit është bërë kanosje. Aktualisht nuk vazhdon të ruhet nga forcat e policisë”, u shpreh avokati.
Më tej ai shtoi se: “Dihet që presioni ka qenë i madh sepse organi i procedurës sajoi tre akuza për të vendosur masën e sigurisë arrest dhe sot arriti ne përfundimin që sipas tyre qëndron vetëm një akuzë po për ne nuk ekziston asnjë akuzë.”.
Komunikimi i akuzave
Deputeti Tom Doshi është paraqitur rreth orës 10:00 të ditës së sotme në Prokurorinë e Përgjithshme për tu njohur me akuzat. Ndërkohë ditën e hënë pritet ti komunikohen akuzat edhe deputetit Mark Frroku.
Deputetët Doshi e Frroku dyshohen për kallëzim të rremë, kanosje për kallëzim dhe deklarata të rreme para prokurorit. Por, ndërsa deputeti Doshi është tashmë në gjendje të lirë, do të paraqitet në prokurori për të mësuar fatin e tij, deputeti kristian, Mark Frroku do t’i presë prokurorët në spitalin ku ndodhet i shtruar për shkaqe shëndetësore. Komunikimi i akuzave dhe marrja në cilësinë e të pandehurit e deputetëve janë veprimet e fundit hetimore për çështjen “Doshi” dhe më pas dosja do t’i dorëzohet Gjykatës së Lartë.
Hetimet për çështjen “Doshi” nisën pas akuzave publike që bëri deputeti i Shkodrës, Tom Doshi, se kishte zbuluar një komplot për eliminimin e tij fizik dhe të demokratit Mhill Fufi. Pas tri javësh hetime prokuroria për Krime të Rënda ia delegoi dosjen organit qendror të akuzës, pasi doli në përfundimin se e gjithë ngjarja ishte e sajuar.
Me marrjen e autorizimit në Kuvend, prokurori i përgjithshëm firmosi urdhër-ndalimin për deputetët Doshi e Frroku. Gjykata e Lartë caktoi ndaj të dyve masën e arrestit në shtëpi.
(ed.me/a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
