Autoritetet italiane kanë nisur sot gjyqin ndaj shtetasit shqiptar, Nuri Guga, i cili ka trashëguar një pasuri marramendëse prej 7 milion eurosh nga një biznesmen italian. Prej vitit 2009, 62-vjeçari Guga është trashëgimtari i kësaj pasurie që i është lënë me testament pas vdekjes nga italiani Aldo Farinola, pronari i Restorantit të njohur “Dëshira në det” në qytetin e Brindisit.

Por sot pas 7 vitesh hetim, me kërkesën e vëllait të biznesmenit italian ka nisur një proces gjyqësor kundër shqiptarit me akuzën e “testamentit fals e pretendimin e trashëgimisë së pasurisë së Aldo Farinolas”. Nuri Goga ka qenë kujdestari personal i pronarit italian deri sa ai ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare, duke i lënë gjithçka shqiptari dhe jo të afërmve të tij.

Restoranti “Dëshirë në det” i pozicionuar në portin e Brindisit, mjaft elegant e me pamje nga deti, është një nga lokalet më të famshme në këtë qytet. Pronari i tij Aldo Farinola, ishte një figurë e njohur në Brindisi, mjaft i pasur e pa fëmijë. Për shumë vite shqiptari Nuri Guga sot 62 vjeç u bë kujdestari e miku i tij më i mirë. Me një testament të firmosur nga noteri Michele Errico, italiani Aldo Farinola ka lënë si trashëgimtar universal të pasurisë së tij kujdestarin shqiptar. Me gjithë këtë akt noterial, sot pas 7 vitesh vëllai i pronarit italian akuzon shqiptarin për mashtrim e testament fals.

Sipas aktakuzës rreth 15 persona dëshmojnë se pronari italian për shkak të sëmundjes së tij në muajt e fundit të jetës qe i paaftë të mendonte e të arsyetonte. Pasuria e Aldo Farinolas përllogaritet rreth 7 milionë euro, ku përveç restorantit buzë detit në Brindisi ai ka lënë në trashëgimi disa shtëpi në Brindisi e Gallipoli si dhe shuma të mëdha parash të depozituara në disa banka italiane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb